Sulmet ndaj të huajve, Pakistani evakuon studentët e tij nga Kirgistani!

vovalbania May 19, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulmet ndaj të huajve, Pakistani evakuon studentët e tij nga Kirgistani!

Në kryeqytetin kirgiz Bishkek, situata është stabilizuar orët e fundit siç bëri të ditur policia, pas dhunës së disa grupeve kundër studentëve jo vendas e që rezultoi me të paktën 29 persona të lënduar, mes tyre shtetas të huaj. Kjo gjendje e krijuar ka ndikuar në rritjen e tensioneve diplomatike mes tre shteteve, Kirgistanit, Pakistanit e Indisë.

Korrespodentët e Radios Evropa e Lirë kanë raportuar se në afërsi të ndërtesave të konvikteve ku jetojnë të huajt, në pjesën lindore të Bishkekut, situata u arrit të qetësohej mbrëmë vonë, si dhe janë përforcuar masat e sigurisë.

Autoritetet kirgize bënë të ditur se Ambasada e Pakistanit dhe një konvikt me të huaj, janë duke u siguruar në mënyrë të veçantë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 15 prej 29 personave të plagosur në një përplasje të ndodhur u dërguan në spitalin e Bishkekut, ndërsa të tjerët janë trajtuar në vendin e ngjarjes.

Kombësia e studentëve të plagosur nuk është bërë e ditur, por burime për Radion Evropa e Lirë konfirmuan se studentët pakistanezë kanë qenë të përfshirë në atë që ndodhi dhe një pjesë e tyre mbetën të plagosur.

Mediat indiane patën njoftuar se studentë indianë dhe pakistanezë kanë mbetur të plagosur, ndërsa autoritetet indiane vunë në dukje se ata janë duke e monitoruar situatën e krijuar. Rreth 140 studentë e 40 qytetarë pakistanezë u larguan prej Bishkekut në orët e fundit dhe u pritën prej ministrit të Brendshëm pakistanez, Mohsin Naqvi në Aeroportin Ndërkombëtar të Lahores. Sot shkon një avion i dytë në Lahore.

Qeveria e Kirgistanit tha se katër shtetas të huaj, të lindur në vitet 1993-2003 janë arrestuar pas dhunës, të dyshuar për akte huligane, por nuk dihet më shumë për ta.

Personat që shpallen fajtorë do të ndëshkohen.

Duket se autoritetet në Kirgistan po fajësojnë emigrantët ilegalë për dhunën. Ndërkaq, aktet e dhunshme u nxitën pas qarkullimit nëpër rrjetet sociale të një videoje të datës 13 maj e ku shihet qartë një grup “njerëzish me pamje aziatike” duke ngacmuar studentët e huaj dhe duke i ndjekur deri te konvikti, ku të paktën një student i huaj është sulmuar nga disa persona, si dhe është tërhequr zvarrë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE