Ebrahim Raisi, armiku i Perëndimit që vari mijëra disidentë!

vovalbania May 20, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ebrahim Raisi, armiku i Perëndimit që vari mijëra disidentë!

Pas aksidentit ajror që i mori jetën, mediat botërore po ndalen në figurën e presidentit iranian, Raisi. Ultrakonservator, ish-kryegjyqtar, kandidaturë e parë si pasardhës i liderit suprem Ali Khamenei, Raisi ishte armik i papajtueshëm i Izraelit, Amerikës e Perëndimit.  Por, gjithashtu i monarkive rivale të Gjirit në politikën e jashtme e një roje jofleksibël i regjimit islamik në politikën e brendshme.

Raisi u zgjodh në qershor 2021 për të pasuar të moderuarin Hassan Rouhani me 62% të votave, në një proces që regjistroi pjesëmarrjen më të ulët në historinë e Republikës Islamike. Sipas analistëve, “përparësia e tij pothuajse obsesive ishte më shumë ruajtja e sigurisë së brendshme e rritja e shpenzimeve të mbrojtjes se problemet sociale dhe ekonomike të shoqërisë iraniane”.

Në shtator 2022, u përhap vala e protestave pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini dhe presidenti iu përgjigj me një shtrëngim të mëtejshëm të rendit publik, me një sërë dënimesh me vdekje. Një trend, në përputhje të përkryer me të kaluarën e tij.

Si një zëvendësprokuror i ri i Teheranit, ai ishte ndër katër anëtarët e të ashtuquajturit Komisioni i Vdekjes e që në vitin 1988 vari me një firmë, me mijëra disidentë, veçanërisht aktivistë të majtë. Ishin të paktën 3 mijë ekzekutime të konfirmuara, për disa deri në 30 mijë.

Atyre që na flasin për dhembshuri dhe falje islame, ne iu përgjigjemi se do të përballemi me kryengritësit deri në fund dhe do të çrrënjosim kryengritjen, përsëriste Ebrahim Raisi gjatë shtypjes së protestave të Lëvizjes së Gjelbër, e cila në vitin 2009 kundërshtoi rizgjedhjen e Mahmud Ahmadinexhadit.

I veshur me çallmën e zezë, simbol i pasardhësve të profetit Muhamed (sajidëve), konsiderohej pasardhës i mundshëm i liderit të moshuar suprem, ajatollah Ali Khameneit dhe ishte studenti i tij i jurisprudencës islame. Pas dështimit për ta kandiduar për president më 2017-ën, Khamenei e promovoi në krye të gjyqësorit për “merita” në shpëtimin e Revolucionit.

Nën shtysën e tij, programi i pasurimit të uraniumit rifilloi, pas një periudhe ngërçi që solli tërheqja e njëanshme e Trump-it nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 nga SHBA-të, si dhe luftës me përfaqësues në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, nga Iraku në Siri, nga Libani e Gaza, në Jemen.

Në mars 2023, çuditërisht rivendosi marrëdhëniet diplomatike të Iranit me Arabinë Saudite, pavarësisht fërkimeve të vazhdueshme mes tyre. Kështu, dha prova të realizmit politik e ndoshta i hapi rrugë lëvizjeve me shtrirje më të madhe strategjike, pak muaj para shpërthimit të luftës në Gaza me sulmin e përgjakshëm të Hamasit ndaj Izraelit, pas të cilit mund të shihet dora e gjatë e Teheranit. Lufta çoi dhe në përplasjen e parë direkte me armikun izraelit, me shkëmbimin e raketave muajin e kaluar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65794 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE