Jo vetëm Mourinho, turqit duan edhe një kampion bote!
Jose Mourinho mund të riniset nga Turqia. Në fillim u fol për Fenerbahcen, ndërkohë që ditët e fundit ka dalë në skenë Besiktasi si e ardhmja e teknikut nga Setubali.
Bardhezinjtë nga Stambolli, pjesë e të cilëve janë edhe dy shqiptarët Ernest Muçi dhe Milot Rashica, ka objektiva të mëdha për të ardhmen. Duke nisur nga rikthimi te titulli kampion.
Pasi konfirmoi ofertën drejt Jose Mourinhos, të cilin drejtuesit e Besiktasit do e takojnë ditët e ardhshme në Itali, zv presidenti Huseyin Yucel zbuloi edhe dëshirën e radhës.
“Jemi në bisedime me Angel Di Marian. Sapo të përfundojë kampionati portugez do të takohemi. Ai na tha se është gati të dëgjojë propozimin tonë pasi ta ketë mbyllur me Benfikën”.
36-vjeçari argjentinas, i cili fitoi Kupën e Botës me kombëtaren albiceleste në Katar, dëshironte rikthimin në shtëpi te Rosario. Por kërcënimet nga disa trafikantë droge ndikuan që të tërhiqej.
Në skenë ka dalë edhe Inter Miami, me Leo Messin që po tenton ta bindë mikun e tij që t’i kalojnë vitet e fundit të karrierës në Florida.
Në lojë është edhe Besiktasi, aty ku Di Maria mund të tundohet për të punuar me Jose Mourinhon. Të cilin e ka patur trajner te Reali i Madridit.