Pas burgut Dani Alves vjen me synime të qarta, hap kompaninë e tij!
Pasi kaloi më shumë se një vit në burg i akuzuar për përdhunimin e një vajze 23-vjeçare në një prej klubeve të Barcelonës, Dani Alves u lirua më datë 25 mars të këtij viti pasi pagoi një shumë të majme për të mos kryer dënimin me katër vite e gjysmë. Mbrojtësi 40-vjeçar, i cili është ndër futbollistët me më së shumti trofe të fituar në histori, nuk e pranonte se e kishte sulmuar gruan në fjalë mëngjesin e hershëm të 31 dhjetorit 2022. Avokati kërkoi lirimin e tij dhe Alves mund të ankohet ndaj këtij dënimi.
Brazilianit, tashmë i liruar me kusht i duhet të qëndrojë në Barcelonë dhe çdo javë të paraqitet pranë gjykatës. Nga ana tjetër, ish-futbollisti i famshëm ka nisur edhe aktivitetet pas periudhës së vështirë teksa ka hapur një kompani me qendër në Barcelonë.
Kjo kompani që mban emrin “OQP Sport&Management”, me investim fillestar prej 30.000 eurosh do të përfaqësojë të drejtat e imazhit të atletëve në mbarë botën. Kjo nuk është iniciativa e parë në botën e biznesit nga Dani Alves duke qenë se ai ka themeluar edhe “Flashforward Group”, një kompani që përfaqëson futbollistet femra.
Rikujtojmë, se ish-futbollisti brazilian, ka humbur respektin e shumë njerëzve teksa klubi i Barcelona e ka larguar nga lista e futbollistëve që mbajnë statusin e legjendës. Alves krijoi një histori shumë të bukur te “Katalanasit” duke qenë një nga futbollistët kryesorë të epokës së Barça-s, ku zhvilloi plot 408 ndeshje me spanjollët, teksa kontribuoi në fitimin e shumë trofeve ku veçohen tre titujt në Champions League. Në vendlindjen e tij Bahia, prej kohësh tashmë kërkohet nga banorët e zonës që të hiqet statuja e Dani Alves nga Juazeiro.