Pas vdekjes së presidentit Raisi, sërish mbledhje urgjente në Iran!
Kabineti drejtues iranian sot zhvilloi një mbledhje të dytë urgjente në më pak se 24 orë pas konfirmimit të vdekjes së presidentit Ebrahim Raisi dhe ministrit të Jashtëm, Hossein Amirabdollahian, dje në një aksident me helikopter në veriperëndim të Republikës Islamike Iranit. Fillimisht, mjeti fluturues me 9 persona në bord u zhduk. Sipas protokollit, me vdekjen e Raisit, zv.presidenti Mohammad Mokhber duhet të marrë pushtetin, në pritje të miratimit nga Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei. Më pas, zgjedhjet e reja duhet të zhvillohen brenda 50 ditëve, për të mësuar emrin e kreut të shtetit.
Qeveria e Iranit konfirmoi se u rrëzua njëri nga tre helikopterët që po fluturonin së bashku dhe se dy të tjerët u ulën pa probleme në zonën e Tabrizit ku kushtet e motit nuk ishin aspak të mira.
Raisi e kryediplomati Amir-Abdollahian, dje udhëtuan për në Azerbajxhan për të përuruar një digë me presidentin azer, Ilham Aliyev. Aliyev reagoi e në rrjetin social X shkroi se në vendin e tij janë “shqetësuar pafundësisht” nga lajmi për rrëzimin e helikopterit të homologut Ebrahim Raisi. Ekipeve vendase të shpëtimit, iu bashkuan edhe ato të Turqisë e të Rusisë që menjëherë u ofruan për ndihmë.
Pas aksidentit ajror që i mori jetën, mediat botërore po ndalen në figurën e presidentit iranian, Raisi. Ultrakonservator, ish-kryegjyqtar, kandidaturë e parë si pasardhës i liderit suprem Ali Khamenei, Raisi ishte armik i papajtueshëm i Izraelit, Amerikës e Perëndimit. Por, gjithashtu i monarkive rivale të Gjirit në politikën e jashtme e një roje jofleksibël i regjimit islamik në politikën e brendshme.
Raisi u zgjodh në qershor 2021 për të pasuar të moderuarin Hassan Rouhani me 62% të votave, në një proces që regjistroi pjesëmarrjen më të ulët në historinë e Republikës Islamike. Sipas analistëve, “përparësia e tij pothuajse obsesive ishte më shumë ruajtja e sigurisë së brendshme e rritja e shpenzimeve të mbrojtjes se problemet sociale dhe ekonomike të shoqërisë iraniane”.
Nën drejtimin e Raisit, Republika Islamike pasuroi uraniumin në nivele gati bërthamore dhe po pengon inspektimet ndërkombëtare. Po ashtu, forcoi lidhjet me Kinën, besohet se ka armatosur Rusinë në luftën kundër Ukrainës dhe se ka nisur një sulm masiv me dron e raketa kundër Izraelit në kuadrin e luftës në Rripin e Gazës. Po ashtu, Republika Islamike ka vazhduar të armatosë rebelët Houthi të Jemenit e Hezbollahun e Libanit.