Strategjia e KLGJ-së, Llagami: Qytetarët të marrin drejtësi brenda afateve të arsyeshme!
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami tha se strategjia e re e hartuar nga KLGJ-ja për uljen e dosjeve të prapambetura në gjykata 2024-2027 kërkon angazhimin e të gjithëve. Gjatë fjalës në tryezën e mbajtur në Tiranë nga KLGJ-ja për prezantimin e kësaj strategjie të re, Llagami tha se i jep qytetarit atë që i është premtuar përmes reformës në drejtësi, akses dhe efikasitet në sistemin e drejtësisë.
Sipas Llagamit, kjo strategji është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë dhe është bazuar në praktika të njohura të vendeve të Këshillit të Evropës.
KLGJ vjen sot me një produkt i cili përmes objektivave afatshkurtër dhe afatgjatë synon adresimin e çështjeve të prapambetura në gjykatat tona. Përballjen për herë të parë në mënyrë strategjike dhe multidimensionale e tërësore të një problematike që nuk pret vetëm një gjykatë, por thelbin e të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Backlogu nuk është thjesht problemi i KLGJ-së, është një problem kombëtar, i aksesit në drejtësi që kërkon një strategji gjithëpërfshirëse. Kërkon një besëlidhje kombëtare, ashtu si ditën kur u miratua Reforma në Drejtësi. I bëjmë thirrje për bashkëpunim çdo gjyqtari, por edhe të gjithë pushteteve, qeverisë dhe kuvendit për t’i dhënë sistemit atë që i premtuam popullit për Reformën në Drejtësi, jo vetëm pavarësinë, por edhe mbështetjen buxhetore.
Strategjia e paraqitur për mbështetje dhe që synon uljen e stokut nëpër gjykata, nuk është vetëm produkt i KLGJ-së, por është hartuar e konsultuar me KiE, delegacionin europian, kryetarë gjykatash, ekspertë vendas e të huaj. Jemi të vetëdijshëm që backlogu sot është pengesë reale që qytetarët të marrin drejtësi brenda afateve të arsyeshme dhe siç ju e dini, është një nga rekomandimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Lidhet me respektin e të drejtave të njeriut dhe me besimin që jo vetëm tek drejtësia, por edhe te shteti i së drejtës.
Kryetarja e KLGJ-së e cilësoi backlogun, një problem kronik të vendit tonë. Ajo tha se është koha për veprim.
Masat lidhen me mbajtjen e funksionit bazë në planin afatshkurtër dhe ndihmojnë në standardet europiane dhe nevojat e shoqërisë. Strategjia që të jetë e suksesshme kërkon bashkërendim me të gjithë aktorët, me Ministrinë e Drejtësinë ashtu dhe me Kuvendin. Në këtë frymë bashkëpunimi, debati konstruktiv, së shpejti do të kemi rezultatet konkrete. Le të jemi bashkë edhe njëherë për hir të qytetarit sot.
Llagami duke shpjeguar strategjinë e re tha se puna lidhet me mbajtjen e funksionit bazë të sistemit në planin afatshkurtër.