Altin Dumani te Ligjet: 41 milion euro pasuri të sekuestruara më 2023-shin/Disa banka të përfshira në pastrim parash!

vovalbania May 22, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Altin Dumani te Ligjet: 41 milion euro pasuri të sekuestruara më 2023-shin/Disa banka të përfshira në pastrim parash!

Raporti i SPAK-ut për 2023-shin, Altin Dumani po raporton në Komisionin e Ligjeve, në Kuvend. Kryeprokurori njoftoi për 41 milion euro pasuri të sekuestruara vitin e kaluar dhe tha se disa banka janë përfshirë në skemën e pastrimit të parave.  “Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në vend nga bizneset shqiptare, si ndërmjetëse për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane”, vuri në dukje Dumani.

SPAK-u ka tregues sasiorë e cilësorë të përmirësuar në raport me një vit më parë. Ka hetuar 863 materiale, nga të cilat nuk është filluar hetimi penal për 103 materiale. 41 milion euro sekuestrim pasurie. Në asnjë rrethanë nuk jemi inkuizitorë. Detyra jonë është të hetojmë, por mbajmë në kujdes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Shifrat janë kokëforta në lidhje me politikën tonë penale. Paçka se luftojmë krimin e organizuar, masat “Arrest me burg” zënë vetëm 48% të totalit. Të paraburgosurit nga SPAK-u zënë më pak se 9%.

Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe disa banka janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave. Gjithashtu, dyshohet se shuma të konsiderueshme parash depozitohen në llogaritë bankare, në emra shoqërish tregtare ose të të afërmeve të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në Shqipëri nga bizneset shqiptare si ndërmjetëse për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane.

Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat në sektorin bankat, për shtresëzimin e transfertave që do të transferoheshin përmes këtij biznesi. Bashkëpunimi shumë i mirë me banka të nivelit të dytë bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte.

Para deputetëve te Ligjet, kreu i SPAK-ut përsëriti shqetësimet për të cilat shpreson se do të gjejnë mbështetje e zgjidhje nga Kuvendi, si  mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimi të mandatit. Ndërkaq, sërish veçoi mungesën e referimeve nga institucionet publike.

Të nderuar deputetë, ne kemi paraqitur disa shqetësime që shpresojmë të gjejnë mbështetje dhe zgjidhje ligjore nga Kuvendi, si mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimi të mandatit, mungesa e këshilltarëve ligjorë, adresimi i ngarkesës të shtuar ndaj drejtuesit të SPAK-ut mbi çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencës të Komisionerit Publik, mungesa e referimeve nga institucionet publike, shtimi i numrit të hetuesve të BKH-së, numri i konsiderueshëm i procedimeve të mbartura.

Nga ana tjetër, Dumani informoi se po përgatitet një strategji për hetimin e krimeve zgjedhore, për parlamentaret e vitit të ardhshëm.

Për krimet zgjedhore, unë me stafin kemi filluar përgatitjet dhe në janar do të bëjmë prezente edhe strategjinë që do të ndërtojmë për hetimin e veprave penale për zgjedhjet. Kemi filluar që tani që të punojmë. Gjatë 2023-shit ka numër në rritje, është trefishuar numri i hetimeve për krimet zgjedhore.

Operacioni “Revanshi”, Dumani:

Nuk kemi indicie që të jetë dekonspiruar.

Kemi evidentuar lidhje të drejtuesve të policisë me krimin. Eshtë ulëritëse kur drejtues të policisë janë pjesë e veprimtarisë së grupeve kriminale. Një pakicë e efektivëve të policisë është e inkriminuar. Respekt për shumicën e policëve që luftojnë krimin.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE