Maqedoni e Veriut, rivotim në dy njësi zgjedhore!

vovalbania May 22, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Maqedoni e Veriut, rivotim në dy njësi zgjedhore!

Në Maqedoninë e Veriut po rivotohet në shtatë vendvotime në dy njësi zgjedhore, që përfshijnë dhe rajonin e Tetovës, të banuar nga shumicë shqiptare. Mbi 4 mijë e 500 persona me të drejtë vote janë thirrur që t’iu drejtohen kutive të votimit prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm. Rezultati mund të ndryshojë numrin e mandateve të parlamentareve të 8 majit.

Për rivotimin në Maqedoninë e Veriut u vendos pas konstatimit të parregullsive nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e që gjithashtu u pranuan nga Gjykata Administrative. Kryesisht, ato kishin të bënin me gjetjen e më shumë fletëve në kutitë e votimit. Rivotimi mund të ndryshojë raportet mes forcave politike në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Në zgjedhjet politike të mbajtura më 8 maj, VMRO-DPMNE/ja fitoi 58 mandate, Fronti Europian që drejtohet nga partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI i Ali Ahmetit, 19 të tilla, koalicioni VLEN 18 mandate dhe nga gjashtë mandate morën partia E Majta e Lëvizja ZNAM.

Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI ka akuzuar VMRO-DPMNE/në, LSDM-në dhe koalicionin VLEN për “rivotim të kurdisur” me qëllim që siç u shpreh, të mund të merren dy mandate në këto dy njësi zgjedhore.

VMRO-DPMNE/ja që fitoi zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale pret që nga rivotimi të sigurojë një mandat më shumë, ashtu siç dhe pret koalicioni VLEN.

Vendi fqinj është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen 20 deputetë nga 120 sa numëron gjithsej Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Pas rivotimit ditën e sotme, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, KSHZ-ja pritet që t’i certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Më pas do të nisin afatet në lidhje me dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re partisë fituese, në këtë rast VMRO- DPMNE/së e që vitet e fundit ka qënduar në opozitë.

Nga forca politike maqedonase presin që qeveria e re të formohet deri në javën e parë të muajit qershor. Më 8 maj u mbajtën edhe zgjedhjet presidenciale të fituara po nga opozita. Në krye të shtetit u zgjodh një grua, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ngjalli debate pasi gjatë betimit, iu referuar vendit me emrin Maqedoni e jo Maqedoni e Veriut, siç përcakton marrëveshja e arritur me Greqinë dhe që i dha fund përplasjeve mes dy shteteve fqinje.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE