Rama pret kryediplomatin britanik Cameron në Kryeministri: Mik i çmuar!
Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron u prit sot nga Kryeministri Edi Rama në Kryeministri ndërsa nisi vizitën zyrtare në vendin tonë. Rama përcolli pamje nga pritja teksa e cilësoi Cameron mik të çmuar.
Kënaqësi të mirëpres Lord David Cameron, Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonëealth-it dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, një mik i çmuar i Ballkanit Perëndimor dhe posaçërisht Shqiptarisë.
Cameron do të takojë edhe Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, si dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili e priti në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit. Në X, Hasani shkroi:
Kënaqësi të mirëprisja në Tiranë, Sekretarin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin, Lord David Cameron. Në kuadër të kërcënimeve aktuale për sigurinë evropiane, ruajtja e unitetit euroatlantik është thelbësor, duke përfshirë forcimin e mbështetjes për Ukrainën dhe adresimin e sfidave për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Tirana sot ka veshur ngjyrat e flamurit të Britanisë së Madhe ndërsa te godina e korpusit të Universitetit Politeknik është vendosur portreti i tij me mbishkrimin që i uron mirëseardhjen.
Ambasada britanike në Tiranë njoftoi:
Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.
Cameron ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri për të nënvizuar suksesin e partneritetit midis dy vendeve për të luftuar kontrabandistët e njerëzve dhe emigracionin e paligjshëm.
Para mbërritjes së Cameron-it në Shqipëri, qeveria e Britanisë së Madhe ka dalë me një deklaratë për mediat duke theksuar se “Sekretari i Jashtëm do të shohë nga afër se si po ecin marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Shqipërinë gjatë vizitës së tij sot në Tiranë.”
Ndërsa Europa përballet me një krizë në rritje të emigracionit, partneriteti midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, spikat si një shembull kryesor i ndërprerjes së modeleve të biznesit të bandave të kontrabandës së njerëzve, duke reduktuar ndjeshëm kalimet e rrezikshme me varka të vogla dhe duke ofruar një të ardhme më të begatë për të rinjtë shqiptarë.
Kjo vizitë vjen pasi kryeministri britanik Rishi Sunak zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij shqiptar Edi Rama në fillim të këtij muaji, për të diskutuar sfidën e përbashkët të emigracionit, si dhe nevojën për një bashkëpunim më të madh në të gjithë Europën. Në këto çaste, Rama-Cameron po japin një konferencë shtypi.