Kina nis manovra “ndëshkuese” ushtarake përreth Tajvanit!

vovalbania May 23, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kina nis manovra “ndëshkuese” ushtarake përreth Tajvanit!

Kina nisi manovra “ndëshkuese” ushtarake përreth Tajvanit duke theksuar se janë përgjigje ndaj “veprimeve separatiste”. Gjatë stërvitjeve të sotme në Ngushticën e Tajvanit e pranë ishujve të kontrolluar nga Tajvani, ushtria kineze simuloi një sulm të plotë kundër Tajvanit, pak ditë pasi presidenti i ri tajvanez Lai Ching-te bëri betimin.

Kina pretendon se Tajvani demokratik është territor i saj dhe e ka dënuar fjalimin e Lait të hënën pasi në të ai i bëri thirrje Pekinit të ndalte kërcënimet e tha se dy palët e Ngushticës “nuk i nënshtrohen njëra-tjetrës”. Të martën, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, e quajti të “pacipë” Lain.

Vazhdimisht, Lai ka thënë se është i gatshëm për bisedime me Kinën, por po refuzohet. Sipas tij, vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e vet dhe i hedh poshtë pretendimet e Pekinit për sovranitet.

Ushtria kineze njoftoi se filluan sot stërvitjet e përbashkëta mes ushtrisë, marinës, forcave ajrore e atyre raketore, në zonat përreth Tajvanit. Manovrat po mbahen në Ngushticën e Tajvanit, në veri, jug e në lindje të tij, si dhe në pjesët përreth ishujve të kontrolluar nga Tajvani, Kinmen, Matsu, Wuqiu e Dongyin, referuar ushtrisë kineze. Hera e parë që Kina kryen stërvitje ushtarake në pjesët përreth këtyre ishujve.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit i dënoi stërvitjet dhe njoftoi se i ka vënë në gjendje gatishmërie forcat e veta përreth ishullit, e vendosur të mbrojë territorin që i takon.

Fillimi i manovrave ushtarake në këtë rast, jo vetëm që nuk i kontribuon paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit, por gjithashtu thekson mendësinë ushtarake të Kinës.

Në katër vitet e fundit, ushtria kineze ka kryer aktivitete pothuajse çdo ditë në afërsi të Tajvanit, si dhe  manovra ushtarake të shkallës së gjerë në afërsi të Tajvanit në vitet 2022 e 2023.

Pekini e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur, e cila përfundimisht do të jetë pjesë e Kinës. Për ta arritur këtë, nuk e hedh poshtë as përdorimin e forcës. Por, shumë tajvanezë e shohin veten si pjesë të një kombi tjetër edhe pse shumica e tyre janë në favor të ruajtjes së status-quos, sipas të cilës, Tajvani as nuk e shpall pavarësinë prej Kinës, e as nuk i bashkohet shtetit të madh aziatik.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64077 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE