Kryeparlamentarja serbe Bërnabiç: Propozimi i një rezolute për Srebrenicën, farsë!

vovalbania May 23, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kryeparlamentarja serbe Bërnabiç: Propozimi i një rezolute për Srebrenicën, farsë!

Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiç tha se propozimi i një rezolute për gjenocidin në Srebrenicë është “farsë” dhe se ajo kurrë nuk ka qenë më e shqetësuar për paqen në Ballkan se tani.

I ftoj të gjithë në Bashkimin Europian (BE) të pyesin veten si do të duket Bosnjë-Hercegovina pas votimit të rezolutës. A do të jetë një vend më paqësor, më i qëndrueshëm, ku të ketë mirëkuptim më të madh ndërmjet boshnjakëve, kroatëve e serbëve apo më i paqëndrueshëm? Fillimisht, këtë e bëri Gjermania e më pas ata në Bashkimin Europian e të gjithë që do të votojnë për rezolutën.

Turp për ju, sidomos për ju nga Gjermania, turp për ju, atë që po i bëni popullit në Ballkan, gjithë popujve në Ballkan, para së gjithash popullit serb, por edhe të gjithëve në Ballkan. Kjo nuk po i sjell askujt asgjë të mirë.

Në disa raste, Serbia ka vlerësuar se rezoluta është një deklaratë politike që synon të vendosë një vulë kolektive në kokën e një kombi.

Në prag të seancës, në Beograd u shfaqën mbishkrime me mesazhin: “Ne nuk jemi një komb gjenocidal”. Aty theksohen stemat e Serbisë e të Republikës Sërpska, entitet i Bosnjë-Hercegovinës.

Rezoluta nuk përmend asnjë komb apo shtet. Ajo iu referohet fakteve të përcaktuara nga aktgjykimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe nga gjykatat vendase.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara sot voton një projekt-rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë. Debati pritet të nisë në orën 16:00. Propozohet që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës. Dokumenti që dënon mohimin e gjenocidit dhe lartësimin e kriminelëve të luftës, u mbështet nga 30 vende, përfshirë Shqipërinë. Zyrtarisht u propozua nga Gjermania e Ruanda.

Deri tani, mbështetjen për të e kanë shprehur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me përjashtim të Serbisë dhe entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Sërpska. Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, zyrtarët e tyre vijojnë të mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, në atë që njihet si masakra më e rëndë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.  Në lidhje me gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona, ndaj të cilëve u vendos për rreth 700 vjet heqje lirie.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE