Rezoluta për Srebrenicën, sot votimi në Asamblenë e OKB-së!
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara sot voton një projekt-rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë. Debati pritet të nisë në orën 16:00. Propozohet që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës. Dokumenti që dënon mohimin e gjenocidit dhe lartësimin e kriminelëve të luftës, u mbështet nga 30 vende, përfshirë Shqipërinë. Zyrtarisht u propozua nga Gjermania e Ruanda.
Deri tani, mbështetjen për të e kanë shprehur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me përjashtim të Serbisë dhe entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Sërpska. Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, zyrtarët e tyre vijojnë të mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, në atë që njihet si masakra më e rëndë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Në lidhje me gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona, ndaj të cilëve u vendos për rreth 700 vjet heqje lirie.
Në mesin e emrave janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç e komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç. Që të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm.
Serbia pati lobuar në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën dhe një ditë para se të dilte në OKB, Asambleja e Republikës Sërpska miratoi një notë proteste drejtuar vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e rezolutës.
Kjo edhe pse në atë dokument nuk përmendet as Republika Sërpska e as Serbia, në mënyra të veçanta.
Krimin në Srebrenicë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi si gjenocid në vitin 2007. Po ashtu, ky institucion konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e madje as si bashkëpunëtore, por deklaroi se Beogradi nuk bëri gjë për ta parandaluar.