Irani dënon një reper me burgim për akuza të panjohura!

vovalbania May 24, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Irani dënon një reper me burgim për akuza të panjohura!

Amirhossein Maghsoudloo, një reper i mirënjohur iranian dhe që gjithashtu njihet me emrin skenik Tataloo, është dënuar me burgim. Lajmin e dhanë avokatja e tij dhe mediat në Iran. Por, të dhëna të hollësishme në lidhje me kohëzgjatjen e dënimit të tij me burgim, ende mbeten jo të qarta.

Për agjencinë e lajmeve ISNA, avokatja e Tataloot, Elham Rahimifar bëri të ditur se reperi përballet me dënim me burgim edhe afatshkurtër, por edhe afatgjatë. Kjo bazuar në një aktvendim të fundit, ndaj të cilit ai ende mund të bëjë ankim.

Procesin gjyqësor ndaj Tataloo, gjatë të cilit u mbajtën tre seanca, e udhëhoqi gjykatësi Iman Afshari.

Por, sipas agjencisë së lajmeve Mizan e që është e lidhur me burime pranë gjyqësorit të Republikës Islamike, reperi u dënua me tre vjet heqje lirie në lidhje me një rast të mëparshëm për “fyerjen e të shenjtës”, një akuzë që mund të përfshijë një sërë shkeljesh të perceptuara, nga blasfemia deri te mosrespektimi i vlerave islame të Iranit.

Mizan gjithashtu raportoi se asnjë individ nuk ka bërë ankesa kundër Tataloo në këtë rast të veçantë edhe pse më herët agjencia pati thënë se ka patur “ankesa të shumta” kundër tij, përfshirë nga të mitur e familjet e tyre.

Gjykimi ndaj Tataloo nisi në muajin mars me akuzat për promovimin e “paturpësisë”, publikimin e “propagandës kundër Republikës Islamike të Iranit”, si dhe përhapjen e “përmbajtjes së turpshme”.

Në një komunikatë të publikuar muajin e kaluar, hetuesi i rastit tha se Tataloo ka shprehur “pendesë”, duke theksuar se reperi kishte shkruar një letër pendese dhe po ashtu kishte shprehur dëshirën për t’u martuar, për të krijuar një familje e për të bërë muzikë në një mënyrë më të pranueshme.

Tataloo, 36 vjeç, jetoi në Stamboll të Turqisë nga viti 2018, por në dhjetor 2023 u ekstradua në Iran nga autoritetet turke. Ai është mbajtur në paraburgim në Iran që prej asaj kohe.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64003 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE