Rama shpërndan titujt e pronësisë në Himarë: Është abuzuar shumë! Himariotët merren me politikë globale
Kryeministri Edi Rama shpërndau sot në Himarë 437 tituj pronësie për disa nga shtëpitë e trashëguara në zonat kadastrale me probleme kronike.
Gjatë fjalës së tij me banorët e Himarës, kryeministri Rama tha se titujt e pronësisë në Tiranë janë përdorur për interesa të ngushta politike.
“Është folur shumë dhe është abuzuar shumë duke e treguar këtë çështje si një çështje që lidhet vetëm me Himarën. Ky abuzim është shfrytëzuar në mënyrë djallëzore nga ata që kanë asnjë qëllim tjetër përveç shfrytëzimit legjitim të banorëve për të çuar përpara interesat e tyre poltiike, që nuk kanë asnjë lidhje me marrëdhëniet tona me fqinjët. Të njëjtën çështje, shqetësim pa asnjë dallim e kanë banorët e Thethit, Tropojës, Kukësit e deri poshtë në Sarandë. Kjo ka të bëjë me regjistrimin e pronave pas ndryshimit të sistemit dhe pasi në shumë zona nuk është pranuar ligji 7501. Janë bërë shumë paudhësi me AMTP dhe kjo ka penguar edhe vetë regjistrimin e shtëpive të trashëguara që kanë qenë aty dhe janë aty” tha kryeministri Rama.
Rama tha se çështja e pronave në Shqipëri është përdorur dhe për narrative propagandistike, ku qeveria i jep pronën oligarkëve.
“Kësaj i është shtuar një tjetër shtresë poshtërsie propagandistike sikur kjo bëhet për të marrë pronat pronarëve legjitime të Himarës dhe për t’ja dhënë oligarkëve. Nuk ka asnjë m2 nga Llogaraja në Ksamil që toka t’i jetë marrë pronarit legjitim e t’i jetë dhënë dikujt tjetër nga shteti. Ka ndodhur para qeverisë sonë. Pronat këtu shiten për zhvillim me çmime që janë dyfishi I çmimeve në Korfuz, shiten dhe nga dy herë e tre herë, për faktin se zhvilluesit për të mos pasur probleme paguajnë dhe të tretin për të njëjtën tokë”, u shpreh kryeministri në Himarë.
Rama nuk i kurseu as këtë herë batutat, kur iu drejtua banorëve duke u thënë se mes shqiptarëve, himariotët ‘janë njisha’ dhe se merren me politikë, dhe jo politikë lokale, por globale.
“Mes shqiptarëve himariotët janë njisha, politikë nga mëngjesi deri mëngjesin tjetër, politikë globale! Kur isha i vogël dhe ndaloja te kafja e vogël në Vuno, pleqtë diskutonin për Nelson Mandelën”, u shpreh Rama.
Një ndër përfitueset e titujve të pronës ishte e bija e autorit Petro Markos, e cila tha se ajo do ta kthejë në muze banesën ku Petro Marko ka jetuar.