Trafik armësh nga Kosova në Tiranë, 4 në pranga!

vovalbania May 24, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Trafik armësh nga Kosova në Tiranë, 4 në pranga!

Policia e Tiranës arrestoi katër persona, të dyshuar për trafikimin e armëve të zjarrit nga Kosova, të moshave 20-28 vjeçe. Gjatë aksionit në vendparkimin e një terminali autobusësh në periferi të kryeqytetit, në Lundër, policia gjeti dhe sekuestroi një çantë me armë e municione.

Një 28-vjeçar me inicialet B.K dyshohet se hyri në një autobus që vinte nga Kosova drejt Shqipërisë me një çantë, brenda së cilës u gjetën 10 pistoleta, 10 krehra e sasi municioni luftarak. Më pas, ai dhe një prej bashkëpunëtorëve, ndoqën me automjetin e tyre autobusin gjatë gjithë itinerarit. Pas hetimit, u arrit në përfundimin se armët po trafikoheshin me qëllim për t’u shitur në vlerat nga 1 mijë e 500 në 3 mijë euro.

Po nga verifikimet e kryera, dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, së bashku me shtetas të tjerë kanë trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe një automjet e pesë celularë.

Në muajin shkurt, policia shqiptare sekuestroi 46 kilogramë lëndë eksplozive që vinte nga Kosova dhe si të dyshuar, arrestoi tre të rinj nga qyteti jugor i Kosovës, Gjilan.

Njoftimi zyrtar për operacionin e sotëm: 

Gjatë operacionit të koduar “Transportuesi 2”, u sekuestruan 10 armë zjarri dhe u arrestuan pesë persona. Në vendparkimin e një terminali autobusësh, në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E. Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.

Shtetasi B. K. dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin E. Th., një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak. Më pas, shtetasi B.K., në bashkëpunim me shtetasin M.K., kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itinerarit.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro. Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE