Iran, vdekja e Raisit mund të nxisë luftën për pushtet/Kush do të zëvendësojë Khamenein?
Vdekja e papritur e presidentit Ebrahim Raisi ka krijuar vështirësi në planet për pasardhësin e liderit suprem të Iranit. Ultra-konservatori Raisi për një kohë të gjatë ishte mbrojtës i Ajatollah Ali Khameneit, i cili gjerësisht besohej se po e përgatiste ish-shefin e drejtësisë për pasardhës të tij. Vdekja e Raisit ka rritur perspektivat e pretenduesve të tjerë, përfshirë djalin e Khameneit, për postin më të lakmuar në Republikën Islamike.
“Pa një favorit të dukshëm për të qenë lideri i ardhshëm suprem, vdekja e Raisit në një aksident me helikopter më 19 maj ka të ngjarë të shkaktojë një luftë për pushtet mes anëtarëve të establishmentit klerik të vendit”, thanë ekspertët.
Nëse Khamenei nuk mund të kontrollojë këtë garë për pushtet, atëherë ai mund të përballet me një realitet bazik të çështjes së pasardhësit, duke u bërë një faktor destabilizues për regjimin ndërsa ende është gjallë, u shpreh Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin, në Institutin për Lindjen e Mesme me seli në Uashington.
Kush janë pretenduesit e mundshëm?
I dominuar nga anëtarët e linjës së ashpër, trupi klerik nuk është deklaruar sa i përket pasardhësit të mundshëm të Khameneit, 85 vjeç, i cili u bë lider suprem më 1989-ën pas vdekjes së themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini.
Një panel në Asamble, i përbërë nga tre anëtarë mban një listë të pasardhësve të mundshëm dhe thuhet se kjo listë nuk është parë as nga anëtarët e tjerë të Asamblesë. Disa ekspertë thanë se vdekja e Raisit ka rritur shanset për Mojtaba Khamenein, klerik dhe djali i dytë i liderit suprem. Mojtaba Khamenei, 55 vjeç, ka shmangur vëmendjen e publikut, por besohet se ka ndikim të konsiderueshëm në prapaskenë dhe ka lidhje të ngushta me Korpusin e fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike, që luan një rol të madh ushtarak, politik dhe ekonomik në Iran.
Por, djali i liderit suprem duket se ka mungesë të aftësive të udhëheqjes dhe kredenciale fetare të nevojshme për postin. Ai shpesh quhet “hoxhatoleslam” një titull që iu referohet klerikëve të rangut të mesëm, megjithëse një agjenci e lajmeve, e lidhur me seminaret fetare, që nga viti 2022 e quan atë Ajatollah, titull nderi që përdoret për klerikët e rangut të lartë.
Në shkurt, një anëtar i Asamblesë së Ekspertëve tha se lideri suprem është kundër trashëgimisë së udhëheqjes, që duket se e përjashton Khamenein e ri nga posti.
Në publik mund të duket si monarki nëse djali i liderit trashëgon postin e të atit, tha Farzan Sabet, studiues në Shkollën e Lartë të Gjenevës.
Gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979, klerikët besnikë ndaj Khomeinit rrëzuan nga pushteti shahun e Iranit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Mohammad Reza Pahlavi. Sabet tha se Khamenei i ri ka ende gjasa “të luajë rol të rëndësishëm në të ardhmen e Republikës Islamike”.
Një tjetër klerik që besohet se është në garën për rolin e liderit suprem është Ajatollah Alireza A’rafi. Kleriku 67-vjeçar është i afërt me Khamenein dhe një prej dy zëvendësshefave të Asamblesë së Ekspertëve.
Më 2020-ën, Khamenei emëroi A’rafin në postin e kreut të të gjitha seminareve të Iranit, duke sugjeruar se ai plotëson kriteret rigoroze për t’u bërë lideri i ardhshëm suprem. A’rafi nuk është shumë i njohur, por ky fakt nuk është që i dëmton shanset e tij në këtë garë.
Diçka që duhet të theksojmë lidhur me pozicionet e udhëheqjes në nivel të lartë në Republikën Islamike… është se një kandidat shpesh mund të dalë, le të themi, nga errësira relative, tha Sabet.
Roli i Gardës Revolucionare
Analistët thanë se Garda Revolucionare Islamike ka të ngjarë që të luajë rol kyç në zgjedhjen e pasardhësit të Khomeneit, në një përpjekje për të mbrojtur interesat e veta. Ali Alfoneh, studiues në Institutin për Shtetet Arabe të Gjirit, me seli në Uashington, tha se Raisi ishte kandidati ideal i Gardës Revolucionare, sepse ai ishte “njeri i lakueshëm, pa ide të pavarura”.
Ajatollah Khamenei dhe Garda Revolucionare tani duhet që të identifikojnë një individ të thjeshtë si presidenti i ndjerë Raisi.
Në fillim të viteve ’80, Khomeini emëroi Ajatollah Hossein Ali Montazerin si zëvendës të tij. Por, më pas prishën raportet dhe posti i Montazerit u shua.
Në vitin 2018, mes thashethemeve për përkeqësim të shëndetit të Khameneit, kishte bisedime për rikthimin e postit të zëvendësliderit suprem, por këto bisedime nuk u konkretizuan.
Kjo mungesë vullneti për të ndarë skenën me dikë tjetër, nga frika se e humb autoritetin ka bërë që të gjithë të hamendësojnë se kush mund të jetë pasardhësi i Khameneit. Paqartësia e Khameneit rreth çështjes së pasardhësit ka më shumë gjasa që tani të jetë një detyrim se një aset.