Josep Borrell: Një Autoritet i fortë Palestinez, i nevojshëm për paqe në Lindjen e Mesme!
Një Autoritet Palestinez “i fortë” është i nevojshëm për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme. Kështu tha shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, teksa u takua kryeministrin palestinez, Mohammed Mustafa, më 26 maj.
“Është edhe në interesin e Izraelit që Autoriteti Palestinez të jetë funksional sepse në mënyrë që të arrihet paqja, ne na duhet një Autoritet i fortë Palestinez, e jo i dobët”, tha Borrell.
Ai i bëri këto deklarata para nisjes së takimit me kryeministrin palestinez, me të cilin tha se do të diskutojë se si Autoriteti Palestinez mund të forcohet që të marrë udhëheqjen e Gazës nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Ne e shohim takimin e sotëm si një mundësi shumë të rëndësishme për ne si Qeveri, si ekzekutiv i ri për të prezantuar para partnerëve tanë ndërkombëtarë prioritet tona dhe planet për të ardhmen”, tha Mustafa.
Kryeministri palestinez tha se prioriteti i tij i parë është të mbështesë palestinezët në Gazë, veçmas përmes një armëpushimi dhe më pas “rindërtimi i institucioneve të Autoritetit Palestinez” në Gazë.
Hamasi mori kontrollin e Gazës nga Autoriteti Palestinez më 2007.
Mustafa po ashtu u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Izraelit që të zhbllokojë fondet për Autoritetin Palestinez “që ne të jemi gati për të reformuar institucionet tona… dhe shpresojmë që së bashku të bëjmë përpjekje drejt shtetësisë dhe paqes në rajon”.
Takimi në Bruksel pritet të përqendrohet edhe në ndihmën ndërkombëtare për palestinezët, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë po vazhdon për më shumë se shtatë muaj