Shërbim i detyruar ushtarak për të rinjtë britanikë, Rishi Sunak: Një mundësi e mirë për të ndryshuar jetën!
Kryeministri britanik, Rishi Sunak deklaroi se do të paraqesë një formë të re të Shërbimit Kombëtar të detyrueshëm për të rinjtë, nëse konservatorët fitojnë zgjedhjet e përgjithshme.
Në njoftimin e parë politik të fushatës, Sunak shpalosi një plan i cili u krijon 18- vjeçarëve mundësinë për zgjedhjen e një pozicioni ushtarak me kohë të plotë për 12 muaj, ose një skemë për punë vullnetare. Vendosja do të jetë selektive dhe do të realizohet me anë të testeve për të parë se kush është i përshtatshëm për forcat e armatosura.
Opsioni i vullnetarizmit parashikon që të rinjtë të kalojnë kohë me policinë, zjarrfikësit, ose organizata bamirëse, sipas mediave vendase. Sunak insiston se modeli i ri do t’u ofrojë të rinjëve “një mundësi për të ndryshuar jetën” dhe do t’i lejojë ata të mësojnë “aftësitë e botës reale”. Në një letër botuar nga ‘Mail on Sunday’, ai e bën të qartë se të kesh shtetësi britanike ka edhe detyrime.
“Atyre që ankohen se ta bësh shërbimin të detyrueshëm është e paarsyeshme, unë u them se shtetësia ka edhe të drejta por edhe detyrime”, shprehet kryeministri britanik.
Konservatorët vlerësojnë se programi do t’i kushtojë vendit 2.5 miliardë paund në vit deri në vitin 2029-2030 .