Turbulenca të forta gjatë fluturimit nga Doha në Dublin, plagosen 12 pasagjerë!
Dymbëdhjetë persona u plagosën pasi avioni Qatar Airways nga Doha në Dublin u godit nga turbulencat këtë të diel.
Fluturimi, i cili u ul në Dublin pak para orës 13:00 me orën lokale, u prit nga shërbimet e urgjencës, duke përfshirë policinë e aeroportit dhe departamentin e zjarrfikës.
Sipas një deklarate nga Aeroporti i Dublinit, gjashtë pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit u plagosën.
Fluturimi QR107 i Qatar Airways përjetoi turbulenca gjatë fluturimit mbi Turqi, thuhet në deklaratë.
Në një ngjarje të mëhershme ditë më parë, pasagjerët e një fluturimi të “Singapore Airlines” të goditur nga turbulenca të forta përshkruan makthin që përjetuan në kohën kur ndodheshin në ajër të martën e 21 majit.
Ata thanë se i gjithë ferri shpërtheu në bordin e aeroplanit Boeing që mbante 229 pasagjerë dhe ekuipazh.
Shumë pasagjerë ishin duke ngrënë mëngjes në momentin e ngjarjes.