35 viktima në Rafah nga sulmet ajrore izraelite pas vendimit të GJND-së!

vovalbania May 27, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
35 viktima në Rafah nga sulmet ajrore izraelite pas vendimit të GJND-së!

Punonjësit shëndetësorë palestinezë raportojnë se sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 35 persona dje, si dhe kanë goditur tendat e të zhvendosurve në qytetin jugor Rafah. Shumë të tjerë u përballën me flakët e zjarrit, referuar njoftimeve më të fundit nga terreni. Ministria e Shëndetësisë së Gazës bëri të ditur se gratë dhe fëmijët përbëjnë numrin më të madh të viktimave e të plagosurve.

Për këto sulme raportohet dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, GJND e urdhëroi Izraelin për t’i dhënë fund ofensivës ushtarake në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë 2.3 milionësh e Gazës është strehuar, para se aty të niste ofensiva izraelite, më herët gjatë këtij muaji.

Me mijëra njerëz vazhdojnë të jenë ende në Rafah, ndërsa shumë të tjerë kanë ikur. Pamjet nga skena e sulmit ajror izraelit treguan një shkatërrim të madh.

Ushtria izraelite e konfirmoi sulmin e tha se ka goditur trupa të Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “terrorist” prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian. Po ashtu, theksoi se vrau dy militantë të lartë të këtij grupi.

Sulmi ajror u zhvillua disa orë pasi Hamasi njoftoi se ka nisur një mori raketash nga Gaza e deri në Tel Aviv të Izraelit. Kjo si shenjë qëndrese pas më shumë se shtatë muajsh, që kur nisi ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit.

Shteti hebraik nuk ka raportuar për ndonjë viktimë apo dëm nga raketat e Hamasit e ka thënë se disa prej tyre janë kapur dhe shkatërruar në ajër. Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka lënë të vrarë rreth 36 mijë palestinezë.

Izraeli fajëson Hamasin, me arsyetimin se po operon në zona të banueshme. Hamasi e nxiti këtë luftë më 7 tetor të vitit të kaluar, pas një sulmi në tokën izraelite. Në atë sulm, militantët e Hamasit vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe morën peng 250 të tjerë.

Hamasi ende i mban peng rreth 100 persona. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu beson se Izraeli duhet të marrë kontrollin e Rafahut për të eliminuar batalionet e mbetura të Hamasit e që të arrijë “fitore të plotë” ndaj militantëve, të cilët janë rigrupuar në të tjera pjesë të Gazës kohët e fundit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 56956 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE