Anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Begaj uron Kosovën!

vovalbania May 27, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Begaj uron Kosovën!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi sot Kosovën, për zgjedhjen anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Urime, Kosovë, për zgjedhjen Anëtare e Asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s!, shkruan Begaj në Facebook.

Asambleja Parlamentare e NATO-s sot miratoi rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese, në anëtare të asociuar. Shumica e vendeve votuan në favor. Kundër ishte vetëm një votë ndërsa 14 shtete të tjera zgjodhën të abstenonin, sot në ditën e tretë e të fundit të punimeve të kësaj asambleje të mbledhur në Sofje të Bullgarisë. Një ditë më parë, delegacioni i Parlamentit të Serbisë, kërkoi që Kosovës të mos i avancohet statusi.

Përmes një letre, delegacioni serb i kërkoi Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asociuar. Anëtarët e tij takuan shefin e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja serbe Ana Bërnabiç.

Çfarë është Asambleja Parlamentare e NATO-s?

Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga Aleanca Veri-Atlantike, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare të organizatës. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitetet e saj, po ashtu marrin pjesë edhe delegatë nga nëntë vende të asociuara, katër vende të asociuara mesdhetare, si dhe tetë delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta, si dhe ndryshime në to. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet mes NATO-s e Asamblesë Parlamentare.

Megjithatë, vihet në dukje se ata nuk kanë të drejtë që të votojnë në lidhje me raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj. Aktualisht, anëtare të asociuara janë nëntë e në mesin e tyre renditen edhe dy vendet ballkanike Serbia e Bosnjë-Hercegovina.

Prej disa vitesh, kujtojmë se Kuvendi i Kosovës merr pjesë si një delegacion vëzhgues me dy vende. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65768 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE