Asambleja Parlamentare e NATO-s miraton avancimin e statusit të Kosovës!

vovalbania May 27, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Asambleja Parlamentare e NATO-s miraton avancimin e statusit të Kosovës!

Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Shumica e vendeve kanë votuar pro, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Një ditë më parë, delegacioni i Parlamentit të Serbisë, ka kërkuar përmes një letre që Kosovës të mos i avancohet statusi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me votimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Me anë të një postimi në platformën “X”, Osmani ka shkruar se NATO është fati i Kosovës.

Ajo shton se do të vazhdojnë përpjekjet së bashku me aleatët për të çuar përpara dhe rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy vende dhe tani me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar pas votimit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ku Kosova e avancoi statusin nga anëtar vëzhgues në të asociuar.

Maqedonci thotë se tani Kosova do të ketë të drejtë propozimi dhe komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ai shton se Kosovë është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në NATO.

Çfarë ndryshon për Kosovën nga miratimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të NATO-s?

Asambleja Parlamentare e NATO-s është themeluar në 1955 si një forum i cili mbledh të gjithë deputetët e vendeve anëtare të NATO-s, por edhe vendeve partnerë të NATO-s, përfshirë edhe mysafirë dhe delegacione të tjera që mund të kenë ndonjë status tjetër. Asambleja Parlamentare është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes Aleancës dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Institucioni përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s. Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare. Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj. Aktualisht, anëtare të asocuara janë 9, në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Roli i Asamblesë Parlamentare të NATO-s është që krah NATO-s të jetë zëri i saj në shtrirjen, në promovimin në ngritjen e vlerave të NATO-s nëpër parlamentet respektive të vendeve anëtare dhe vendeve partnere. Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy vende dhe tani me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE