Funksioni i ri i YouTube Music do t’ju pëlqejë të gjithëve!
YouTube Music më në fund po zbulon një veçori që shumë përdorues e kanë pritur me padurim; aftësinë për të kërkuar këngë duke i kënduar ato. Kjo veçori u vu re në versionin e fundit të aplikacionit për Android dhe premton të lehtësojë gjetjen e këngëve. Siç raportohet, funksioni ka qenë në testim nga marsi dhe tani është drejt prezantimit zyrtar.
Teknologjia që qëndron pas tij përdor Al për të përshtatur tingujt me regjistrimet origjinale, duke e mundësuar identifikimin e shpejtë dhe të saktë të këngës. Pasi të zbulohet kënga, ajo shfaqet në ekran me titull, artisin që e këndon dhe vitin e publikimit. Gjithashtu, aty ofrohen edhe mundësi të ndryshme për ta luajtur ose ruajtur atë.
Bëhet e ditur se ky përditësim është aktualisht i disponueshëm në versionin 7.02 të YouTube Music për Android, por ende nuk shpërndarë në pajisjet iOS. Ndërkaq, YouTube po zgjeron masat kundër përdorimit të softuerit të bllokimit të reklamave në platformat celulare, gjë që mund të çojë në vështirësi për përdoruesit që përpiqen të shikojnë video pa ndërprerje.
Kompania tha se përdoruesit që hyjnë në YouTube përmes aplikacioneve të palëve të treta për bllokimin e reklamave mund të kenë probleme me luajtjen e videove ose të shohin një mesazh gabimi që paralajmëron se përmbajtja nuk është e disponueshme përmes këtij aplikacioni. Gjatë vitit të kaluar, YouTube filloi një iniciativë globale duke u kërkuar përdoruesve të aktivizojnë reklamat ose të kalojnë në YouTube Premium, versioni pa reklama. Kompania gjithashtu ka filluar të çaktivizojë riprodhimin e videove për përdoruesit që përdorin shtesa për bllokimin e reklamave.