Kosova anëtare e asociuar e NATO-s, Kurti: Hap i rëndësishëm në integrimin euroatlantik!

vovalbania May 27, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kosova anëtare e asociuar e NATO-s, Kurti: Hap i rëndësishëm në integrimin euroatlantik!

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që Kosovës t’i jepet statusin e anëtarit të asociuar në AP të NATO-s.

Kurti ka thënë se ky vendim është një hap i rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë. Ndërsa i ka përgëzuar zyrtarët e shtetit, që kanë punuar për këtë arritje.

Postimi i plotë i Kurtit:

Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë.

Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë.

Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Shumica e vendeve kanë votuar pro, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Një ditë më parë, delegacioni i Parlamentit të Serbisë, ka kërkuar përmes një letre që Kosovës të mos i avancohet statusi.

Asambleja Parlamentare e NATO-s është themeluar në 1955 si një forum i cili mbledh të gjithë deputetët e vendeve anëtare të NATO-s, por edhe vendeve partnerë të NATO-s, përfshirë edhe mysafirë dhe delegacione të tjera që mund të kenë ndonjë status tjetër. Asambleja Parlamentare është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes Aleancës dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE