Scholz kundërshton përdorimin ukrainas të armëve gjermane në Rusi!
Kancelari gjerman, Olaf Scholz po i reziston një zgjerimi të mundshëm perëndimor në mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Sot deklaroi se nuk favorizon lejimin e Kievit që të përdorë armë gjermane për të goditur objektivat në Rusi.
Ne kemi rregulla të qarta të dakorduara me Ukrainën për dërgesat e armëve që kemi bërë deri më tani. Dhe ato funksionojnë. Të paktën kjo është teoria ime, u shpreh Scholz në një aktivitet në Berlin për shënimin e 75-vjetorit të Kushtetutës së Gjermanisë.
Gjermania e ka furnizuar Kievin me artileri me rreze të gjatë, si raketahedhësja “Mars II”, e cila ka një rreze prej më shumë se 80 kilometra, që kur Rusia pushtoi Ukrainën më shumë se dy vjet më parë. Por, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se forcave të armatosura ukrainase u është ndaluar të përdorin armë perëndimore për të goditur objektivat brenda Rusisë.
Në një intervistë të fundit për “New York Times”, Zelensky kërkoi që urgjentisht aleatët e Ukrainës të japin leje që armët të përdoren për të synuar pozicionet e artilerisë ruse pranë kufirit ukrainas. Deri tani, Ukraina ka qenë në gjendje të godasë objektivat në Rusi vetëm duke përdorur dronë të prodhuar brenda territorit të saj.
Politikani i Partisë së Gjelbër, Anton Hofreiter kohët e fundit u bë anëtari i parë i koalicionit qeverisës të Gjermanisë që mbështeti publikisht lehtësimin e kufizimeve për përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina.
Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e popullsisë ukrainase, tha ai në një intervistë të publikuar nga grupi mediatik gjerman “Funke”, fundjavën e kaluar. E drejta ndërkombëtare lejon një shtet të sulmuar të sulmojë objektivat ushtarake në vendin e agresorit.
Sipas një raporti në “New York Times”, qeveria amerikane tashmë po shqyrton autorizimin e përdorimit të armëve perëndimore në territorin rus. Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron tha gjatë një vizite të fundit në Kiev se i takon Ukrainës të vendosë nëse do të përdorë armët britanike kundër pozicioneve në Rusi. Si përgjigje, Moska thirri ambasadorin britanik dhe kërcënoi me hakmarrje në rast të një sulmi me armë britanike.