Presidenti Begaj pret futbollistët e Egnatias: Fitore e merituar!

vovalbania May 28, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti Begaj pret futbollistët e Egnatias: Fitore e merituar!

Futbollistët e ekipit Egnatia me trofeun e Kategorisë Superiore dhe Kupën e Republikës në duar, ishin sot të ftuarit e Kreut të Shtetit Bajram Begaj. Presidenti i ka pritur në ambientet e presidencës futbollistët, ndërsa këtë fitore të tyre ai e cilësoi si të merituar.

“Presidenti i Republikës përcolli përgëzimet për këtë arritje historike të skuadrës së qytetit të Rrogozhinës, e cila hyri në librin e artë të kampionëve të Shqipërisë. Presidenti i Republikës e konsideroi fitoren e tyre të merituar dhe u shpreh se rezultati i arritur do të mbahet mend gjatë nga shqiptarët, pasi u dëshmua triumfi i arritur përmes investimit serioz, sakrificave dhe frymës së përbashkët të ekipit”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Lojtarët e Egnantias, i dhuruan presidentit fanellë me emrin e tij.

“Kreu i Shtetit përcolli një falënderim të veçantë për presidentin Agim Demrozi, ndërsa inkurajoi ekipin të vazhdojë me këtë frymë angazhimi në futbollin shqiptar.  Në shenjë falënderimi për pritjen e rezervuar, lojtarët e skuadrës kampione i dhuruan Presidentit Begaj fanellën e Egnatias me dedikimet personale”, thuhet në njoftim.

Egnatia është ekipi kampion i Shqipërisë për herë të parë në histori. Rrogozhinasit triumfuan në finalen e madhe të “Final Four” ndaj Partizanit me rezultatin minimal 1-0. Sfida u vendos nga një gol i Ibrahimoglu në minutën e 35-të.

Në një atmosferë elektrizuese, në stadiumin “Air Albania” u zhvillua një finale e madhe, teksa drejtësi në fushë vendosi gjyqtari i mirënjohur anglez, Anthony Taylor.

Të dyja ekipet u shfaqën mirë në fushë duke krijuar raste të rrezikshme por gjithçka u vendos nga Ibrahimoglu në minutën e 35-të i cili realizoi një gol spektakolar duke i dhënë avantazhin Egnatias.

Edhe në fraksionin e dytë të dyja ekipet patën disa raste të mira shënimi por asgjë nuk ndryshoi në rezultat. Në fund sfida u mbyll 1-0 për Egnatian, që fitoi titullin e parë në histori.

Një sezon fantastik për rrogozhinasit që përmbyllet me titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë, teksa do të përfaqësojnë edhe Shqipërinë për herë të parë në histori në turin e parë eliminator të Champions League.

Pas përfundimit të ndeshjes finale në stadiumin “Air Albania” u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe titullit kampion ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dorëzoi medaljet dhe titullin kampion ekipit të Egnatias.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE