“Der Standard”: Shqipëria ndër më të kërkuarat nga turistët!
“Sipas të gjitha analizave, turizmi në Shqipëri është rritur veçanërisht fuqishëm”, shkruan sot Bettina Pfluger për gazetën më të madhe austriake “Der Standard”.
Pushimet verore po afrojnë e bashkë me to edhe sezoni i pikut të udhëtimeve. Më në fund duhet të dilni nga përditshmëria e të relaksoheni. Pavarësisht inflacionit dhe normave më të larta të interesit pas pandemisë, kërkesa për udhëtime ka mbetur e fortë.
Numri i netëqëndrimeve në Europë arriti në 2,91 miliardë fjetje në vitin 2023 dhe 2,88 miliardë më 2019-ën. Në veçanti, turistët amerikanë kohët e fundit janë bërë më të rëndësishëm për Europën.
Për shembull, pjesa e SHBA-ve e të ardhurve në Spanjë u rrit nga 4 në vitin 2019, në 5% më 2023-shin, në Portugali nga 6 në 9% e në Britaninë e Madhe nga 13 në 16%. Për këtë arsye, industria e udhëtimeve në Europë është një nga sektorët më elastikë brenda ekonomisë europiane, sipas një raporti nga “Travel Trends 2024: Breaking Boundaries” nga Mastercard.
Destinacioni më i njohur për këtë verë në Europë është Mynihu i Gjermanisë, falë tifozëve të shumtë të futbollit. Më pas vijojnë Tirana, Nisa (Francë), Korfuzi (Greqi) dhe Stambolli (Turqi).
Këtë vit, destinacionet më të lira të plazheve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Turqisë po shënojnë disa nga rritjet më të larta të trafikut ajror. Sipas të gjitha analizave, turizmi në Shqipëri është rritur veçanërisht fuqishëm.
Numri i lidhjeve me fluturime është dyfishuar që nga viti 2019 dhe numri i mbërritjeve të udhëtarëve është rritur nga 12 milion në vitin 2019, në 17 milion në vitin 2023.
Vëzhgimet tona tregojnë një prirje emocionuese drejt sezonit të ulët, thotë Natalia Lechmanova, kryeekonomiste e Europës në institutin ekonomik “Mastercard”, nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
Arsyeja për këtë është se gjithnjë e më shumë udhëtarë europianë po zgjedhin muajt më të butë nga maji deri në qershor dhe nga shtatori në tetor e duan të shmangin sezonin e lartë të mbushur me njerëz në verë.
Kjo kthesë do të mundësojë rritje të vazhdueshme në udhëtimet europiane, pasi sezoni i lartë i verës po përballet gjithnjë e më shumë me pengesa në kapacitet. Në përgjithësi, njerëzit janë të interesuar të përjetojnë diçka.
Sipas raportit, konsumatorët preferojnë përvojat kuptimplota sesa të mirat materiale.
Austriakët pëlqejnë veçanërisht të shpenzojnë para për udhëtime dhe ngjarje të muzikës live. Pushimet në veçanti kanë prioritet, pasi pothuajse dy të tretat (63% thonë se duan të udhëtojnë më shumë në vitin 2024, përfundon “Der Standard”.