Individët po e blejnë më pak borxhin e qeverisë!

vovalbania May 29, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Individët po e blejnë më pak borxhin e qeverisë!

Pjesa e borxhit të brendshëm e financuar nga individët përsëri pësoi rënie në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të muajit mars, individët zotëronin rreth 20.05% të instrumenteve të borxhit të brendshëm të emetuara nga qeveria shqiptare, nga 20.38% që ishte kjo pjesë në fund të vitit të kaluar dhe 20.74% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë ngelet sektori bankar, me më shumë se 54% të totalit. Në vlerë absolute, shuma e borxhit të financuar nga individët vlerësohet të ketë arritur në rreth 145 miliardë lekë, në rënie me afërsisht pesë miliardë lekë ose 3.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se blerjet e reja të individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve, në tremujorin e parë të këtij viti, zbritën në 12.1 miliardë lekë, në rënie me 19.8% krahasuar me një vit më parë.

Rënia ishte edhe më e lartë e shprehur në numër transaksionesh, që u tkurrën në 4409, 25.2% më pak krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Sipas llojit të instrumenteve financiare, rënia më e madhe u shënua në tregun e obligacioneve.

Vlera e blerjeve të obligacioneve në tregun primar zbriti në më pak se 2.5 miliardë lekë, në rënie me 31.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, investimi në bono thesari ra në 9.65 miliardë lekë, 16.3% më pak krahasuar me tremujorin e parë të 2023-shit.

Tendenca rënëse e investimeve të individëve në bono dhe obligacione nisi që vitin e kaluar. Sipas AMF-së, për vitin 2023, blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve ranë në 37.5 miliardë lekë, në rënie me 24.5% krahasuar me vitin 2022.

Rënia graduale e peshës së individëve në strukturën e financuesve të borxhit të brendshëm duket të jetë rezultat i rënies së ndjeshme të yield-eve, që prej fillimit të vitit 2023 e në vazhdim.

Investimet e individëve në bonot dhe obligacionet patën marrë një shtysë të fortë gjatë vitit 2022, kryesisht për shkak të rritjes së fortë të yield-eve. Në muajin mars 2022, Banka e Shqipërisë nisi ciklin e normalizimit monetar, duke e rritur normën e interesit pesë herë brenda vitit dhe duke e çuar atë nga 0.5% në 2.75%.

Kjo rritje u reflektua shumë shpejt, madje edhe u tejkalua në yield-et e titujve të borxhit qeveritar, sidomos në ato me maturim afatshkurtër. Pasiguria nga rritja e shpejtë e interesave dhe pritshmëritë për rritje të mëtejshme të tyre i çuan yield-et pranë niveleve më të larta të dekadës së fundit.

Rritja e yield-eve i bëri titujt qeveritarë shumë më tërheqës edhe për investitorët individualë. Një pjesë e depozituesve preferuan t’i tërheqin paratë e mbajtura në depozita bankare dhe t’i investojnë në bono edhe obligacione, në kërkim të kthimeve më të larta.

Por, pas vitit 2023, frenimi i rritjes së normave të interesit nga banka qendrore solli një rënie të shpejtë të yield-eve dhe ulje të interesit të individëve për të investuar në titujt e qeverisë./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 63938 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE