KFOR-i kërkon të mbahen përgjegjës personat që e sulmuan vjet në Zveçan!

vovalbania May 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
KFOR-i kërkon të mbahen përgjegjës personat që e sulmuan vjet në Zveçan!

KFOR-i kërkon që të mbahen përgjegjës personat që e sulmuan në Zveçan të Kosovës së veriut, një vit më parë. Sot pati një reagim nga komandanti i misionit paqeruajtës, Ozkan Ulutas, në 1-vjetorin e përplasjeve me serbët që nuk lejonin hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e komunave të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut. KFOR-i thotë se veproi duke shmangur “përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës”.

Në 1-vjetorin e protestave, KFOR-i thekson se sulmet ishin “të paprovokuara e krejtësisht të papranueshme”. Në deklaratën e Ulutas-it thuhet:

Sot ne nderojmë shërbimin dhe sakrificën e kolegëve tanë, të cilët vunë në rrezik jetën për të kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me misionin tonë që del nga mandati i Kombeve të Bashkuara.

Kosova ka fajësuar Serbinë në lidhje me ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato u kryen nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç”. Por, Serbia e ka mohuar një akuzë të tillë, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se dëshironte të shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.

Në Kosovë deri më tani janë arrestuar dhjetë persona për dhunën në protesta dhe për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Më herët, KFOR-i ka deklaruar se shpresonte që Beogradi do të hetonte edhe ata persona “që u kthyen në Serbi” pas trazirave, duke theksuar se pret që të gjithë autorët “të ndiqen penalisht”.

Por, institucionet kompetente në Serbi ende nuk kanë komentuar për këtë çështje. Po ashtu nuk dihet nëse autoritetet serbe janë duke zhvilluar ndonjë proces kundrejt personave që morën pjesë në sulmin ndaj KFOR-it.

Majin e vitit të kaluar, serbët në veri protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill 2023, pas bojkotimit të procesit zgjedhor nga serbët dhe partitë serbe. Dhuna në veri bëri që NATO të dislokonte rreth 1 mijë ushtarë shtesë.

KFOR-i theksonte:

Ne kemi rritur praninë tonë në veri të Kosovës, kemi trefishuar patrullimet përfshirë ato përgjatë vijës kufitare administrative. Ky ishte përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë dhe tregon se NATO qëndron e gatshme të ruajë paqen.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE