Kryeministri Rama: Të ndërtojmë një NATO të arsimit!
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka ardhur koha që të ndërtojmë një NATO të arsimit. Këto komente, shefi i qeverisë i bëri gjatë punimeve të Konferencës Ministeriale të Zonës Europiane të Arsimit të Lartë që po mbahet në Tiranë e ku kreu i ekzekutivit shqiptar vuri në dukje se “duhet një organizatë si NATO, por për arsimin”.
Ajo që shikojmë gjithmonë e më shumë është që urrejtja dhe mosrënia dakord për institucione demokratike po shtrihet gjithnjë e më shumë në të gjitha cepat e globit. Bazohet në një sistem që e ushqen këtë. Për një gjë nuk jam fort i sigurt, që sistemi ynë për t’i bërë rezistencë kësaj gjëje është i përgatitur. Në rast se në imagjinatën tonë, ne do të mund të mendonim për konfrontime të brezave të rinj nga të dyja krahët, druaj se brezi ynë është më pak i përgatitur për t’i bërë ballë krahut tjetër, në rast se do të duhej të luftonin për vlerat demokratike që sfidohen nga forca të forta.
Ndër të tjera, kryeministri Rama theksoi se “ne duhet të vendosim një herë e mirë se si do ta trajtojmë të shkuarën, por edhe të ardhmen”. Sipas tij, “e ardhmja duhet të kontrollojë të shkuarën”.
Shqetësuese është që e ardhmja jonë po përkufizohet nga e shkuara dhe gjithnjë e më shumë e shkuara po përdoret si pikë reference, pikë frymëzimi, shtysë për të imagjinuar të ardhmen. Unë besoj se duhet të jetë e kundërta. E kundërta do të shpëtojë botën tonë demokratike. E ardhmja duhet të kontrollojë të shkuarën.
E ardhmja duhet që të vendosë se cila është e shkuara për të gjithë ne, sepse e ardhmja është e vetmja hapësirë ku ne mund të gjejmë gjithmonë e më shumë arsye për t’u bërë bashkë. E shkuara është një hapësirë për të gjetur arsye për të pasur ndasi e luftuar me njëri-tjetrin.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në fjalën e rastit u ndal te Reforma e Arsimit të Lartë në Shqipëri.
Ne synojmë që Shqipëria deri më 2030-ën të bëhet një pikë reference për Arsimin e Lartë dhe për kërkimin shkencor e për këtë arsye jemi duke investuar në bashkëpunimin ndërkombëtar, në programet e mobilitetit, përmirësimin e kurrikulës mësimore.
Manastirli solli në vëmendje marrëveshjen e nënshkruar një ditë më parë mes UBT-së e Universitetit BOKU të Vjenës, të cilën e cilësoi “hap përpara në arsimin e lartë, që synon të krijojë programe të përbashkëta dhe diploma të dyfishta, duke e bërë kështu ofertën akademike më tërheqëse edhe për studentët që vijnë nga Ballkani Perëndimor”.
Ministrja shtoi se një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e ndërkombëtarizimit të arsimit është objektivi për krijimin e një kampusi të tretë të Kolegjit të Europës, që simbolizon anëtarësimin e Shqipërisë në BE.