Rithemelimi: Dhuna fizike ndaj avokatit Mëngjesi, akt i urdhëruar nga Edi Rama!
Rithemelimi reagoi lidhur me dhunën ndaj avokatit të Sali Berishës, Sokol Mëngjesi, sot në Tiranë. Në një dalje për mediat, zëdhënësja Floriana Garo akuzoi kryeministrin duke thënë se “personalisht Edi Rama do të mbahet përgjegjës për këtë akt të shëmtuar kriminal”.
Deklarata e plotë:
Sot në mëngjes, tre banditë, të urdhëruar nga Edi Rama, kanë sulmuar dhe goditur me leva në kokë në qendër të Tiranës, profesor Sokol Mëngjesin, avokati i mirënjohur i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ky është një akt kriminal dhe hakmarrje e verbër, primitive e Edi Ramës ndaj profesor Sokol Mëngjesit, sepse ai së bashku me kolegët e tij, faktuan para shqiptarëve me prova dhe dokumente zyrtare të pakundërshtueshme, se procesi gjyqësor kundër kryetarit të Partisë Demokratike është një proces kryekëput politik i bazuar ne një piramidë mashtrimi, siç është çështja e Klubit Sportiv Partizani.
Duke e goditur me banditë, me urdhër të tij direkt profesor Mëngjesin dhe duke i shkaktuar atij lëndime të renda, Edi Rama dëshmon frikën dhe panikun që përjeton nga aktet e tij politike kriminale.
Ai beson se me dhunë do të mund të frikësojë zërin e të vërtetës dhe fshehë krimet e tij politike.
Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike, dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt banditesk kriminal ndaj profesor Sokol Mëngjesit dhe deklaroj sot se Edi Rama, ai dhe vetëm ai, personalisht do të mbahet përgjegjës për këtë akt të shëmtuar kriminal.
Mëngjesi ka dy fraktura në kokë nga dhuna në zonën e ish-Bllokut. Pasi shoqëroi fëmijën në kopësht, 34-vjeçarit iu bë pritë nga tre persona ende të paidentifikuar që e goditën me leva e doreza metalike. Burime nga urgjenca e Spitalit të Traumës thonë se nga ekzaminimet e para me skaner, të dëmtuarit i konfirmohen dy fraktura në pjesën e kokës ndërsa priten të tjera ekzaminime. Në mjediset spitalore për ta vizituar ishte Argita Malltezi, vajza e Sali Berishës.
Policia nisi hetime e po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Po ashtu, për zbardhjen e motiveve.
Prej vitesh, Mëngjesi ushtron profesionin e avokatit dhe muajt e fundit është pjesë e ekipit mbrojtës të Berishës, i cili është person nën hetim për korrupsion pasiv e gjendet në “Arrest shtëpie” prej fundvitit të kaluar lidhur me çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.