Tri vite kontratë, Bayerni zyrtarizon pasuesin e Tuchel!
Bayern Munich zyrtarizon trajnerin e ri. I përzgjedhuri i rekordmenëve të futbollit gjerman është Vincent Kompany, i cili vjen nga anglezët e Burnleyt.
Ish-kapiteni i Manchester Cityt dhe kombëtares së Belgjikës, ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me Bayernin.
Që do të jetë skuadra e tij e tretë në karrierën si trajner pas Anderlechtit dhe Burnleyt. Këta të fundit nuk arriti t’i mbante në Premier League.
Një mundësi e artë për Kompany për të treguar vlerat dhe për të shpalosur idetë e tij si trajner në një nga skuadrat më të forta në botë.
Ish-mbrojtësi është i prirur drejt futbollit ofensiv, duke preferuar që skuadrat e tij të jenë dominuese dhe zbavitëse në fushën e blertë.
Objektivi primar është rrëzimi i Bayer Leverkusenit nga “froni” dhe rikthimi i Bayernit te titulli. Ndërkohë, tifozët kërkojnë trofeun e Championsit, që bavarezët e kanë fituar 6 herë deri më tani.