U godit me leva e doreza metalike, ja si paraqitet gjendja e avokatit të Berishës!

vovalbania May 29, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
U godit me leva e doreza metalike, ja si paraqitet gjendja e avokatit të Berishës!

Sokol Mëngjesi, avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha ka dy fraktura në kokë nga dhuna e mëngjesit të sotëm në Tiranë, në zonën e ish-Bllokut. Pasi shoqëroi fëmijën në kopësht, 34-vjeçarit iu bë pritë nga tre persona ende të paidentifikuar që e goditën me leva e doreza metalike.

Burime nga urgjenca e Spitalit të Traumës thonë se nga ekzaminimet e para me skaner, të dëmtuarit i konfirmohen dy fraktura në pjesën e kokës ndërsa priten të tjera ekzaminime. Në mjediset spitalore për ta vizituar ishte Argita Malltezi, vajza e Sali Berishës.

Policia nisi hetime e po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Po ashtu, për zbardhjen e motiveve.

Prej vitesh, Mëngjesi ushtron profesionin e avokatit dhe muajt e fundit është pjesë e ekipit mbrojtës të Berishës, i cili është person nën hetim për korrupsion pasiv e gjendet në “Arrest shtëpie” prej fundvitit të kaluar lidhur me çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.

Lidhur me ngjarjen nuk munguan reagimet. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, deputeti demokrat Asllan Dogjani kërkoi angazhim të strukturave të shtetit për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve.

Dogjani deklaroi:

Ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Avokati dhe pedagogu Sokol Mëngjesi është goditur në mes të ditës me leva. Kjo ngjarje tregon që krimi nuk ka frikë nga ligji, se nuk kemi sundim të ligjit, pasi institucionet nuk janë në krye të detyrës. Qytetarët janë të pasigurtë. Ndaj dhe Shqipëria do të vazhdojë të boshatiset dita-ditës.

Kryetarja socialiste e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dënoi dhunën e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ndërsa u bëri thirrje organeve ligjzbatuese të hetojnë dhe të nxjerrin para përgjegjësisë autorët.

Bushka u shpreh:

Në emër të Komisionit, solidarizohemi të gjithë si kolegë dhe kundërshtojmë çdo akt dhune ndaj avokatëve e çdo personi që ushtron profesionin e juristit. Iu bëj thirrje organeve të hetojnë e të nxjerrin para përgjegjësisë fajtorët, pasi kushdo ka të drejtën për t’u mbrojtur. Dhuna nuk është e pranueshme. Jam e bindur se organet e drejtësisë janë duke punuar për të zbardhur të vërtetën. Uroj që avokati Mëngjesi të rikuperohet! Solidarizohemi me të!

Edhe Universiteti i Tiranës dënoi sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, njëherazi pedagog i Fakultetit të Drejtësisë. Në një reagim thuhet:

Ne presim dhe besojmë që policia dhe prokuroria të zbardhi sa më shpejt autorët dhe motivet e këtij sulmi kriminal dhe të rrezikshëm. Stafi i Universitetit të Tiranës është në këto momente pranë familjes së Sokol Mengjesit.  I urojmë shërim sa më të shpejtë të kolegut tonë Prof. Dr. Sokol Mëngjesi!

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE