BE-ja paralajmëron vendosjen e FRONTEX-it në Serbi!

vovalbania May 30, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
BE-ja paralajmëron vendosjen e FRONTEX-it në Serbi!

Këshilli i Bashkimit Europian dha dritën jeshile për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që do të mundësojë vendosjen e patrullave nga Agjencia Europiane e Rojave Kufitare (FRONTEX) për kontrollin e kufijve, edhe brenda territorit të Serbisë, në veprime të përbashkëta për kontrollimin e emigracionit ilegal.

Serbia ndodhet në të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, e cila, pavarësisht rrethojave, kamerave të vëzhgimit dhe patrullave të përbashkëta kufitare, është rruga e dytë më aktive e emigrantëve, sipas raporteve të FRONTEX-it. BE-ja ka njoftuar se Këshilli e ka miratuar këtë vendim sot në Bruksel.

Marrëveshja do t’u mundësojë BE-së dhe Serbisë që të organizojnë operacione të përbashkëta që do të përfshinin FRONTEX-in dhe Gardën Kufitare të Serbisë. Po ashtu, kjo do të thotë se ekipet menaxhuese kufitare të FRONTEX-it mund të dislokohen në Serbi. Ato do ta ndihmojnë Serbinë për të menaxhuar valët e emigrimit, të veprojë kundër emigrimit të paligjshëm dhe të luftojë krimet nderkufitare.

BE-ja ka pasur një marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë për këtë çështje, por ajo mundësonte veprimet e FRONTEX-it vetëm në kufijtë e vendeve të BE-së me Serbinë. Marrëveshja e re do të mundësojë vendosjen e FRONTEX-it brenda territorit të Serbisë.

FRONTEX është agjencia e BE-së përgjegjëse për zbatimin e menaxhimit të integruar europian të kufijve, funksionimin efektiv të kontrollit kufitar në kufijtë e jashtëm të BE-së në koordinim me autoritetet kombëtare të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Shengenit (Islanda, Zvicra, Lihtenshtajni dhe Norvegjia).

Agjencia është përgjegjëse për menaxhimin e kufijve, sigurinë e brendshme brenda BE-së dhe menaxhimin e emigracionit, duke përfshirë një politikë efektive të kthimit, duke ruajtur lëvizjen e lirë të personave brenda unionit dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore.

Bashkimi Europian tashmë ka marrëveshje të tilla me disa vende fqinje, si me Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

E ashtuquajtura “Rrugë Ballkanike” që ndiqet nga emigrantët, vazhdon të jetë shqetësuese për BE-në, e cila ka për qëllim që numri i emigrantëve ilegale që kalojnë përmes saj drejt BE-së, të zvogëlohet.

Për shkak të numrit të madh të tyre, Sllovenia ka pezulluar zbatimin e rregullave të Schengenit në kufirin me Kroacinë dhe ka vendosur kontrollet kufitare në atë pikë kalimi.

Krahas bashkëpunimit me FRONTEX-in, BE-ja pret nga vendet e rajonit që t’i përshtaten dhe politikës së vizave të BE-së për qytetarët e vendeve të treta. Kjo ka për qëllim parandalimin e futjes me lehtësi të emigrantëve pa viza në ndonjë vend të Ballkanit Perëndimor dhe kalimin ilegal në vendet e BE-së, si në Kroaci apo Hungari.

BE-ja pret që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë në menaxhimin e përbashkët të emigrimit, pasi qytetarët e tyre gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza në vendet e bllokut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE