Çështja penale ndaj ish-presidentit Trump/Çfarë pritet në vijim?

vovalbania May 30, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Çështja penale ndaj ish-presidentit Trump/Çfarë pritet në vijim?

Pasi për 16 ditë dëgjuan dëshmitë e 24 dëshmitarëve dhe për disa orë të tjera argumentat përmbyllëse të palëve, erdhi momenti që anëtarët e jurisë të thonë fjalën e tyre në çështjen penale ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Juria është tërhequr për të filluar procesin e shqyrtimit të çështjes së parë penale ndaj një ish-presidenti amerikan. E përbërë nga shtatë burra dhe pesë gra, kjo juri ka detyrën të vendosë nëse Trump është apo jo fajtor për 34 akuzat në lidhje me falsifikimin e të dhënave të kompanisë së tij.

Prokurorët thonë se Trump falsifikoi të dhënat për të fshehur rimbursimet për ish-avokatin e tij, Michael Cohen, i cili e pati paguar aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels me 130 mijë dollarë në javët e fundit të fushatës elektorale të vitit 2016, që ajo të mos bënte publike pretendimet e saj për një marrëdhënie seksuale me Trump-in, para një dekade.

Ish-presidenti dhe njëkohësisht kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane ka deklaruar pafajësinë, ka mohuar të ketë patur marrëdhënie seksuale me Danielsin e tha se pagesat për Cohenin u evidentuan siç duhet në regjistrat e kompanisë, si shpenzime ligjore.

Nëse juria e gjen fajtor, duhet të vendosë unanimisht se Trump shkruajti një të dhënë false në regjistrat e kompanisë së tij ose detyroi dikë tjetër ta bënte këtë veprim. Po ashtu, se e bëri këtë me synimin për të shkelur ose për të komplotuar për të shkelur ligjin e shtetit të Nju Jorkut, sipas të cilit është e paligjshme zgjedhja në funksione publike me mjete ilegale.

Shpallja fajtor do të thotë që të gjithë anëtarët e jurisë të bien dakord se është bërë diçka e paligjshme për të ndihmuar në zgjedhjen e Trump-it. Por, nuk është e domosdoshme që ata të bien unanimisht dakord se cili ishte aspekti i paligjshëm. Në këtë rast, anëtarët e jurisë mund të zgjedhnin mes tre veprave të mundshme të paligjshme:

Ata mund të vendosin se një prej personave të përfshirë në konspiracion shkeli Ligjin Federal për Fushatat Elektorale, që në vitin 2016 e bëri të paligjshme që një person të japë mbi 2,700 dollarë për fushatën presidenciale. Ligji gjithashtu ua ndaloi korporatave që të kontribuojnë për një fushatë elektorale.

Juria mund të vendosë se janë falsifikuar të dhëna të tjera biznesi, përfshirë vërtetimet për taksat federale që kompania i dha Cohenit të dhënat bankare në lidhje me pagesat që Cohen i kaloi Danielsit apo një faturë e lëshuar kur kompania e revistës National Enquirer pagoi ish-modelen Karen McDougal, e cila pretendonte se kishte një lidhje jashtëmartesore me Trump-in, që e ka mohuar këtë gjë.

Anëtarët e jurisë mund të vendosin se janë dhënë informacione false në lidhje me deklaratat e taksave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65712 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE