“E kuptova që ishte e rrezikshme, por më duheshin paratë…”, dëshmia e gazetarit të arrestuar nga krimi kibernetik!

vovalbania May 30, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“E kuptova që ishte e rrezikshme, por më duheshin paratë…”, dëshmia e gazetarit të arrestuar nga krimi kibernetik!

Zbardhet dëshmia e dy personave të arrestuar nga Krimi Kibernetik.

Shqipnews.info ishte portali që ishte hapur nga shefi i Sektorit në AMP Kushtrim Selimi me zyrtaren tjetër të AMP Regina Omeri dhe gazetarin Ervis Hasanaga.

Ata kishin arritur që të publikonin shkrime për drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Neritan Nallbati, Rebani Jaupi, Florjan Sulejmani etj me qëllim denigrimin e tyre në publik përmes lajmeve të rreme.

Qëllimi i Selimit ishte që përmes presionit të emërohej drejtor.

Gazetari Ervis Hasanaga ka deklaruar se publikimin e lajmeve e bënte pasi ishte i punësuar në këtë portal dhe paguhej 600 euro në muaj.

Sipas tij lajmet ia sillte Regina Omeri dhe ai kishte rol vetëm publikimin e tyre në faqe.

Gazetari Ervis Hasanaga ka pranuar se ishte i vetëdijshëm për punën që po bënte, por i duheshin paratë.

“Jam bërë pishman për këtë punë. E kuptova që ishte e rrezikshme, por më duheshin paratë. Duhet të kisha dyshuar në materialet që më jepnin ata, para se t’i publikoja, duhet të kisha bërë një verifikim. Kisha kohe që s’më zinte gjumi nga kjo. Jam penduar”.

Në kërkim është shpallur shefi i sektorit në AMP, Kushtrim Selimi.

Ndërkohë, zyrtarja e AMP, Regina Omeri, ka deklaruar se lajmet ia niste Kushtrim Selimi dhe kjo e fundit ia dërgonte gazetarit për publikim.

Ajo ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë përfitim monetar. Ajo ka shtuar se Selimi lajmet i publikonte sepse kishte inate me drejtuesit e policisë dhe AMP.

Njoftimi i Policisë:

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Antonimet”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:

R. O., 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës;

E. H., 35 vjeç, me profesion gazetar.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. S., 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE