Vullkani në Islandë vazhdon të lëshojë lavë dhe tym!

vovalbania May 30, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vullkani në Islandë vazhdon të lëshojë lavë dhe tym!

Një vullkan në jug të kryeqytetit të Islandës, Rejkjavik, është duke lëshuar lavë dhe tym që dy ditë radhazi, edhe pse me një ritëm më të ngadalshëm tani, thanë të enjten autoritetet islandeze.

Shpërthimi i këtij vullkani, për herë të pestë prej dhjetorit, ishte më i fuqishmi prej kur u aktivizuan sistemet vullkanike në gadishullin e Rejkjanes para tri vjetëve, sipas Zyrës Meteorologjike të Islandës.

“Prej të mërkurës pasdite, intensiteti i shpërthimit të vullkanit është zvogëluar dukshëm”, tha kjo zyre në një komunikatë për media të enjten.

Grindaviku, një qytezë e njohur për peshkim – ku janë kthyer vetëm pak njerëz për shkak se disa shtëpi u shkatërruan nga lava në fillim të këtij viti – u urdhërua t’i evakuojë banorët përsëri.

Jona Runa Erlingsdottir, menaxhere në fabrikën e peshkut në Grindavik, ishte duke punuar kur filloi të shpërthejë vullkani të mërkurën. Në qytet u dëgjuan sirena për paralajmërimin e rrezikut nga vullkani.

“Ne kishim vetëm një orë kohë për ta pastruar vendin dhe për t’u larguar”, tha Erlingsdottir për Reuters.

Fabrika e peshkut e rifilloi punën në prill, pasi u rivendos në një qytezë në afërsi, për shkak të shpërthimeve të kaluara vullkanike.

Në fillim të këtij viti u ndërtuan mure të gjata përreth Grindavikut për të mos e lejuar lavën të rrjedhë drejt qytezës.

“Ishte paksa e çuditshme të filloja punën atje përsëri dhe t’i shihja muret e sigurisë përreth qytezës. Nuk e kemi pamjen e njëjtë si më parë”, tha ajo.

Zyra Meteorologjike tha se lava kishte rrjedhur deri te muret e ndërtuara përreth Grindavikut.

Nuk u raportua për të lënduar nga shpërthimi i vullkanit.

Aeroporti më i madh i Islandës, Keflavik, e vazhdoi punën si zakonisht.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 56750 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE