Marka luksoze e makinave njofton shefin e ri, Frank-Steffen Walliser në krye të Bentley!
Bentley së shpejti do të ketë një udhëheqës të ri në krye. Në një deklaratë të lëshuar së fundmi, marka luksoze njoftoi se postin e CEO të kompanisë tani do ta marrë Frank-Steffen Walliser. Ai pason Adrian Hallmark, i cili bëri një largim të papritur për në Aston Martin.
Bëhet e ditur se Walliser ishte pjesë e Porsche që nga viti 1995 prej kur kishte mbajtur pozicione të ndryshme brenda kompanisë. “Transformimi i vazhdueshëm i industrisë së automobilave do të jetë një detyrë kryesore për Bentley gjithashtu, një detyrë që jam i lumtur ta marrë përsipër me ekipin”-tha Walliser. Nuk ka dyshim se ai di si të ndërtojë automjete me performancë të lartë. Kjo pasi ai mori përsipër edhe menaxhimin e serive 911 dhe 718 të Porsche.
Rikujtojmë se Bentley më i shtrenjtë deri më sot është Batur kabriolet dhe bëhet fjalë gjithashtu për një nga makinat më të fuqishme me motor SUS që vjen nga Britania e Madhe. Është gjenerata e tretë Batur dhe është porositur nga Mulliner, divizioni i ndërtimit të trupit të markës Bentley.
Do të prodhohen vetëm 16 të tilla, secila prej tyre do të jetë e personalizuar dhe do të kushtojë më shumë se 2.3 milionë euro. Kjo makinë me dy sedilje është një prej mjeteve të fundit me motor 6 litërsh W12 me turbo-mbushje, pasi nga vera Bentley nuk do ta prodhojë më. Sa i përket performancës, motori prodhon 720 kuaj-fuqi kurse shpejtësinë nga 0 në 100 kilometra në orë e arrin për 3.4 sekonda dhe ajo maksimale është 336 km/h. Bentley tha se se do të ofrojë një numër të pakufizuar të ngjyrave.