Financim nga Bashkia e Tiranës, Veliaj inspekton punimet për ndërtimin e sheshit “Skënderbej” në Tuz të Malit të Zi!
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një vizitë në Malin e Zi, ku vizitoi edhe disa prej komunave atje. Fillimisht ai u ndal në komunën e Tuzit, ku inspektoi nga afër punimet për ndërtimin e sheshit “Skënderbej”, i cili është një financim i Bashkisë së Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj vlerësoi cilësinë e punimeve dhe menaxhimin e fondit, duke theksuar se kjo është një shtysë që Bashkia e Tiranës të jetë e gatshme të ndihmojë akoma më shumë në të ardhmen.
“E çmoj faktin që jeni kujdesur që buxheti i Bashkisë së Tiranës, donacioni për sheshin “Skënderbej”, të aplikohet me cilësi. Më vjen mirë që keni qenë vërtet dinjitozë në menaxhimin e atij fondi, çka na bën të jemi të gatshëm të ndihmojmë më shumë. Jam vërtet entuziast kur dëgjoj, edhe nga qeveria e Malit të Zi, sesi ata duan të mbajnë premtimet për abetaren shqipe, duan të mbajnë premtimet për qendrat e librit. Më vjen mirë që edhe ambasadorja jonë ka qenë rigoroze në ndjekjen e këtyre angazhimeve, kështu që edhe ne do bëjmë pjesën tonë. Teksa po mbaron ky kantier, po mbarojnë dy kantiere të tjera në Preshevë dhe Bujanoc, për dy shkolla që kemi aty, prandaj këtë vit jemi të lirë të marrim disa angazhime të tjera”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se Tirana do të ndihmojë edhe në rritjen e turizmit në Tuz, përmes vizitorëve të kryeqytetit që duan të shohin më shumë destinacione shqipfolëse. Veliaj u ndal edhe te bashkëpunimi i rrjetit të Bashkive të Ballkanit në kuadër të B40.
“Do mundohem jashtë mase që në paketën tonë turistike, të një Tirane që është tejet përplot me turistë, ne të inkurajojmë ata që vizitojnë Shqipërinë e Veriut, të ketë mundësinë të shpenzojnë disa ditë edhe në Tuz. Unë besoj që shumë mirë mundemi me qenë bashkë afër si shqiptarë, ama duhet të kuptojmë se si Ballkan dhe si rajon kemi një vokacion drejt perëndimit. Ne na duhet vetëm të bashkëpunojmë dhe të bashkëjetojmë me fqinjët”, deklaroi Veliaj.
Në fund të takimit, kryetari i Komunës së Tuzit, Liridon Gjelaj falënderoi kryebashkiakun Veliaj për investimin në sheshin që u shërben të gjithë qytetarëve,, ndërsa theksoi se afati për përfundimin e punimeve është data 28 nëntor. “Vlerësojmë të gjithë çka keni bërë për komunën tonë. Besoj se nuk do ndalemi me kaq. Për pjesën që ju cekët, pjesa e turizmit, që ka nevojë të vlerësohet komuna e Tuzit në këtë drejtim. Ju falënderoj pa masë për investimin, që keni rregulluar një shesh i cili pa dyshim ka zbukuruar komunën e Tuzit, u shërben të gjithë qytetarëve, posaçërisht të vegjëlve. Ai shesh do të zbukurohet edhe një bust të Skënderbeut. Shpresojmë që në 28 nëntor, ta përfundojmë”, tha Gjelaj.