Gjeorgjia kërkon të rishikohen marrëdhëniet me SHBA-të!
Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakly Kobakhidze, bëri thirrje që të rishikohen marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo pasi Uashingtoni ndërmori masa ndëshkuese ndaj Tbilisit zyrtar për shkak të miratimit të ligjit për “agjentët e huaj” sipas atij rus që synon “të mbysë” kritikët.
Marrëdhëniet Gjeorgji-Amerikë duhet të rishikohen realisht. Ne do ta diskutojmë këtë me ambasadorin, tha Kobakhidze, i cituar nga agjencia ruse e lajmeve, RIA Novosti.
Kryeministri gjeorgjian vuri në dukje se marrëdhëniet me Uashingtonin u dëmtuan gjatë mandatit të ambasadorit të kaluar, për shkak se ai kishte bërë thirrje për ndryshime të shpejta dhe të dukshme politike.
Parlamenti i Gjeorgjisë, i kontrolluar nga partia në pushtet Endrra Gjeorgjiane e kryeministrit, e miratoi ligjin, i cili organizatave që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga vendet e huaja, iu kërkon që të regjistrohen si agjentë të ndikimit të huaj. Kujtojmë se ky ligj pati nxitur protesta shumë të mëdha e madje të dhunshme në rrugët e kryeqytetit Tbilis.
Kundërshtarët e këtij ligji thonë se ai është autoritar dhe se është i frymëzuar nga një ligj i ngjashëm në Rusi. Bashkimi Europian vuri në dukje se është ky ligj që ia rrezikon Gjeorgjisë rrugën drejt integrimit në bllokun 27-anëtarësh.
Këtë javë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vendosi regjim vizash e tha se bashkëpunimi dypalësh me Gjeorgjinë do të rishikohet. Blinken theksoi se ligji për “Agjentët e huaj” do të “shkelë të drejtën për lirinë e shprehjes”, si dhe se do të pengojë punën e organizatave të pavarura të mediave.
Por, qeveria e Kobakhidzes beson se ligji do të promovojë transparencën e madje do të ruajë sovranitetin kundër asaj që e konsideron si një përpjekjeje në Perëndim për ta futur Gjeorgjinë në konfrontim me Rusinë. Presidentja gjeorgjiane e përdori veton kundër këtij ligji, por Parlamenti gjeorgjian ia rrëzoi.