Sulmi ndaj avokatit Mëngjesi, Dritan Nano e Dorian Alia lihen në burg!

vovalbania June 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulmi ndaj avokatit Mëngjesi, Dritan Nano e Dorian Alia lihen në burg!

Gjykata e Tiranës la në qeli Dritan Nanon e Dorian Alinë, të arrestuar lidhur me sulmin barbar të 29 majit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, të mërkurën e 29 majit në kryeqytet. Prokuroria e Tiranës kërkoi “Arrest me burg” për Dritan Nanon, i arrestuar si organizator i dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi tre ditë më parë e që ende është në koma në spital. “Arrest me burg” kërkoi edhe për Dorian Alinë, njëri nga tre dhunuesit e njëherazi dhëndër i Nanos.

Në sallën e gjyqit, ata mohuan se sulmi ishte i organizuar dhe avokati i tyre foli për një veprim që e përshkroi si “rastësor”.

Ndërkaq, shtetasit Elton Kasaj, Drivald Alia e Romario Tabaku, ende janë në kërkim. Tabaku i shoqëroi me makinë ndërsa Kasaj e Alia gjithashtu u përfshinë në goditjen e avokatit. Për kapjen e tyre, u ofruan 20 mijë euro shpërblim nga policia e Tiranës.

Avokati i cili mbetet në intubim te Trauma u dhunua mëngjesin e 29 majit, pasi la djalin në një kopësht në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Dorian Alia u vetëdorëzua e pranoi se sulmin e porositi Dritan Nano. Sipas 32-vjeçarit, dhuna ishte paralajmërim që  Sokol Mëngjesi të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit. 58-vjeçari Dritan Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur.

Ndërkaq, prokuroria ka zbutur akuzën ndaj të dyshuarve duke rikualifikuar veprën penale nga “Vrasje e funksionarëve publikë, e mbetur në tentativë” në “Plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim”.

Për veprën penale “Vrasje e funksionarëve publikë, e mbetur në tentativë”, Kodi Penal parashikon jo më pak se 30 vjet heqje lirie ose burg përjetë ndërsa për atë “Plagosje e rëndë me dashje, e kryer në bashkëpunim” parashikon burgim nga 3 deri në 10 vjet. Sa i përket “Kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit, kryer në bashkëpunim”, përcakton gjobë ose burg deri në 7 vjet.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE