Blinken: I takon Hamasit të pranojë marrëveshjen me Izraelin!

vovalbania June 03, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Blinken: I takon Hamasit të pranojë marrëveshjen me Izraelin!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përshëndeti gatishmërinë e Izraelit për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe tha se i takon Hamasit ta pranojë, siç njoftoi sot zëdhënësi Matthew Miller. Deklarata e Millerit erdhi pas një bisede telefonike mes shefit të diplomacisë amerikane, Blinken dhe ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Të dy zyrtarët diskutuan propozimin për të arritur një armëpushim në enklavën palestineze, në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite nga Hamasi.

Presidenti amerikan, Joe Biden prezantoi detaje të një projektmarrëveshjeje paqeje që parashikon tre faza të shmangies së përshkallëzimit, duke filluar me një armëpushim të plotë për gjashtë javë dhe një tërheqje të forcave izraelite nga zonat me popullsi të dendur në Gaza.

Akordi përcakton planet për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqjen e Izraelit nga territori palestinez e rindërtimin e Rripit të Gazës.

Uashingtoni po ushtron presion ndaj Izraelit, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës. Drejtori i Komunikimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kirby tha për ABC News se “vetëm nga një perspektivë ushtarake… izraelitët kanë përmbushur shumicën e qëllimeve të tyre në Gaza”. Kirby theksoi:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë thënë se organizata militante palestineze Hamas, nuk ka kapacitete ushtarake. Ne nuk kemi thënë se ata nuk përfaqësojnë një kërcënim të qëndrueshëm për popullin izraelit. Por, ata nuk kanë aftësitë ushtarake për të bërë atë që bënë më 7 tetor të vitit të kaluar.

Kirby shtoi se marrëveshja ishte një “propozim izraelit”. Ai shtoi po ashtu se Amerika pret që shteti hebraik të pajtohet me planin për një armëpushim nëse Hamasi bie dakord, duke shtuar se militantët duhet të japin një përgjigje zyrtare.

Ndër të tjera, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu pranoi ftesën për t’iu drejtuar me një fjalim Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan. Në një deklaratë thuhet se “udhëheqësi izraelit është i emocionuar për privilegjin që të paraqesë të vërtetën e luftës së drejtë të Izraelit në Gaza”. Por, shteti hebraik po përballet me kritika në rritje për sulmet. Numri i viktimave palestineze po i afrohet shifrës 40 mijë, shumica gra e fëmijë.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65794 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE