Matura 2024/ Sot 28 mijë nxënës i nënshtrohen provimit në ‘Gjuhën e huaj’, ja mesazhi i ministres së Arsimit
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka adresuar sot një mesazh për rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, në ditën e fillimit të Provimeve të Maturës Shtetërore.
Përmes një video, Ministrja Manastirliu shprehu urimet më të mira dhe inkurajon maturantët që sot nisin këtë etapë të rëndësishme të jetës së tyre me provimin e parë, atë të gjuhës së huaj, e më pas me gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe lëndët me zgjedhje.
“Sot është një ditë e rëndësishme për rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të kryejnë Provimet e Maturës Shtetërore, duke filluar me gjuhën e huaj, gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe më pas me lëndët me zgjedhje. Ky moment shënon përfundimin e një etape dhe hapjen e kapitullit të ri në rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe aftësimit tuaj të mëtejshëm,” u shpreh ministrja.