Partia në pushtet e Serbisë fiton Beogradin dhe zona të tjera!
Partia Përparimtare Serbe (SNS), forcë politike në pushtet në Serbi, shpalli fitoren në zgjedhjet e përsëritura lokale në Beograd dhe zona të tjera. Pas numërimit të më shumë se 92% të votave, SNS-ja populiste e krahut të djathtë, e mbështetur edhe nga presidenti serb, Aleksander Vuçiç mori 52.85% të votave në zgjedhjet e një dite më parë, siç tha Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Beogradit (GIK).
Ky rezultat do t’i japë 64 mandate në asamblenë komunale prej 110 vendesh të kryeqytetit serb, sipas GIK-ut. Konkurrentja më e afërt e SNS-së, “Kreni-Promeni” e që do të thotë “Lëviz-Ndrysho”, e kryesuar nga Savo Manojlloviç, doli e dyta me 17.61% të votave apo 21 mandate.
Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi u mbajtën dhjetorin e kaluar, por rezultatet u kontestuan në 88 qytete, komuna e rrethe, ku dje u përsëritën. Shumicën e tyre, përfshirë qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sadin, fitoi SNS-ja.
Zgjedhjet në Luginën e Preshevës
Në Preshevë, komunë e banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, fitoren e shpalli Ardita Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik. Kësaj force i dha mbështetje dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në Bujanoc – komunë e banuar po ashtu me shumicë shqiptare – fitoren e shpalli Arbër Pajaziti, nga lista zgjedhore Fronti për Ndryshim.
Megjithatë, organizatat që i monitoruan zgjedhjet, raportuan për një varg parregullsish, përfshirë blerjen e votave ose regjistrimin e dyfishtë të votuesve. Manojlloviç u shpreh se koalicioni i tij nuk do t’i njohë rezultatet.
Këto ishin zgjedhjet më të parregullta të mbajtura ndonjëherë.
SNS-ja dominon politikën e Serbisë prej më shumë se një dekade. Siç dihet, Serbia është kandidate për t’iu bashkuar Bashkimit Europian nga viti 2012, por përparimi i saj drejt bllokut duket i ngadalshëm.