Provimet e Maturës Shtetërore, sot testimi i gjuhës së huaj!

vovalbania June 03, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Provimet e Maturës Shtetërore, sot testimi i gjuhës së huaj!

Rreth 28 mijë maturantë sot i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore, ku do të testohen për gjuhën e huaj. Testimi fillon në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta. Janë rreth 144 qendra provimi që administrohen nga 2 mijë e 700 punonjës arsimorë të të gjitha strukturave, të angazhuar për të administruar e monitoruar procesin e Maturës Shtetërore.

Provimet zhvillohen edhe në qendra me hapësira të mëdha siç janë palestra, korridore, ku 70% e mjediseve monitorohen nga kamerat për të siguruar e për të pasur një proces administrimi sa më transparent.

Pas provimit të Gjuhës së Huaj, më 10 qershor, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më pas, më 18 qershor, Matematikës ndërsa më 24 qershor është provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje.

Provimet e maturës nisin në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit vuri theksin te zbatimi me rigorozitet i rregullores së Maturës Shtetërore.

Kemi një rregullore që duhet zbatuar nga të gjithë, që nga shkollat e deri në nivel kombëtar. Shpresoj të mos kemi parregullsi, por nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet që shkelin rregulloren. Nxënësit duhet të jenë të qetë dhe të sigurt gjatë këtij procesi provimesh, theksoi ministrja Manastirliu.

Në provimet e Maturës Shtetërore do të marrin pjesë rreth 28 mijë nxënës, maturantë. Për monitorimin dhe administrimin e procesit do të angazhohen më shumë se 2 mijë e 900 punonjës të sistemit arsimor, përfshirë mësues, administratorë provimesh e staf të MAS-së dhe strukturave të varësisë.

Do të jenë 1 mijë e 900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore e mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta. Gjithashtu janë 230 administratorë për monitorimin dhe vlerësimin e mbarëvajtjes së testimeve në të 144 pikat e provimeve.

Ministria e Arsimit dhe Sportit do të monitorojë procesin me përfaqësues të deleguar, duke siguruar që çdo hap i procesit të garantojë transparencën e duhur.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE