Në prag të zgjedhjeve, BE-ja thotë se Rusia po përhap dezinformata!

vovalbania June 04, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Në prag të zgjedhjeve, BE-ja thotë se Rusia po përhap dezinformata!

Qeveritë evropiane thonë se Rusia po përhap dezinformata përpara se Bashkimi Evropian të mbajë zgjedhjet për Parlamentin Evropian nga data 6 deri më 9 qershor.

Ato thonë se veprimet e Moskës dhe të aktorëve pro Kremlinit janë pjesë e një fushate më të gjerë ndërhyrjesh, të krijuar për të diskredituar qeveritë evropiane dhe për ta destabilizuar BE-në.

Moska, nga ana tjetër, i hedh poshtë akuzat.

Si duket ndërhyrja e dyshuar ruse?

Akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e BE-së, në prag të zgjedhjeve, përfshijnë dezinformimin apo manipulimin e së vërtetës, thonë ekspertët.

Sipas tyre, kjo bëhet duke filluar nga përforcimi i teorive tashmë ekzistuese të konspiracionit deri te publikimi i videove të falsifikuara dhe gënjeshtrave në faqet ‘doppelganger’ – të krijuara për t’u dukur identike me faqet e vërteta.

Republika Çeke tha se ueb-faqja e lajmeve voiceofeurope.com ka udhëhequr një operacion të ndikimit prorus në Evropë. Një politikan dhe biznesmen ukrainas, por pro-rus, i identifikuar si Viktor Medvedchuk, i ka financuar në mënyrë të fshehtë operacionet e ndikimit të kësaj faqeje.

Belgjika, në anën tjetër, tha se zyrtarë rusë kanë paguar ligjvënës të Parlamentit Evropian për të promovuar propagandë ruse në Evropë.

Si u përgjigjet Rusia akuzave për ndërhyrje?

Rusia mohon se përhap dezinformata. Ajo thotë se Perëndimi është i përfshirë në një luftë informacioni në shkallë të plotë, që përfshin pretendime të rreme, të krijuara për ta shkatërruar reputacionin e Rusisë dhe për ta paraqitur atë si armike.

Zyrtarët rusë thonë se Perëndimi është bërë aq jotolerant, saqë refuzon të pranojë çdo pikëpamje që bie ndesh me narrativën mbizotëruese dhe ka ndaluar transmetimin e disa mediave shtetërore ruse, si agjencia e lajmeve RIA Novosti dhe gazetat Izvestia dhe Rossiyskaya Gazeta.

Çfarë janë ueb-faqet e rreme dhe ‘doppelganger’?

Ueb-faqet e rreme, apo ‘deepfakes’, janë media sintetike, në të cilat një person në një fotografi ose video ekzistuese, zëvendësohet me dikë tjetër duke përdorur teknika të inteligjencës artificiale. ‘Deepfakes’ mund të duken shumë reale dhe kjo ka çuar në përhapjen e dezinformatave dhe të propagandës.

Në zgjedhjet në Sllovaki më 2023 u shfaq një regjistrim zëri i Michal Simeckas, udhëheqësit të partisë Sllovakia Progresive, me sa duket duke diskutuar për manipulimin e votave. Regjistrimi ishte i rremë.

‘Doppelganger’ është emri që i atribuohet një fushate dezinformomi, që përfshin krijimin e ueb-faqeve të rreme, që ngjajnë shumë me pamjen e burimeve ekzistuese të lajmeve.

Çfarë thonë udhëheqësit e BE-së për ndërhyrjen e dyshuar ruse?

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Evropa përballet me një zgjedhje të ashpër: të jetë e fortë ose t’u nënshtrohet autoritarëve.

“A duam një Evropë të fortë, që lufton për vlerat dhe demokracinë tonë? Apo, a do të lejojmë që demokracitë tona të rrëmbehen nga marionetat e autoritarëve?”, pyeti ajo.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE