Analiza: Si zhvillmi i inteligjencës artificiale ndikon tek tregu i punës!
Përparimet në fushën e inteligjencës artificiale kanë filluar të ndryshojnë të ardhmen e tregut të punës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Adams, shumë njerëz druhen se inteligjenca artificiale do të shkaktojë humbje të vendeve të punës, ndërsa të tjerët shohin një të ardhme më të mirë si rezultat i shfrytëzimit të kësaj teknologjie nga njeriu.
Për më shumë se një shekull, automatizimi ka ndikuar tek vendet e punës në mbarë botën, duke mbyllur vende pune dhe krijuar vende të reja pune njëkohësisht.
Ekspertët po përpiqen të parashikojnë se si zhvillimi i inteligjencës artificiale do të ndikojë tek vendet e punës.
Sanjay Patnaik me Institutin Brookings thotë se inteligjenca artificiale po depërton në fusha që dikur vareshin vetëm nga njeriu.
“Më së shumti rrezikohen vendet e punës të nivelit fillestar. Analistët e marketingut, ndihmës hulumtuesit, analistët e financave. Këto profesione mund të automatizohen krejt lehtësisht, detyra që përsëriten”, thotë për Zërin e Amerikës Sanjay Patnaik me Institutin Brookings.
Disa ekspertë theksojnë mungesën e punonjësve të kualifikuar. Susanne Bieller nga Federata Ndërkombëtare e Robotikës thotë se inteligjenca artificiale po e trajton këtë problem.
“Bëhet fjalë për profesione që po zhduken sepse nuk ofrohen më trajnime. Për shembull profesioni i saldatorit. Për ta kapërcyer këtë problem dhe për të përmbushur nevojat e saldimit ne ofrojmë zgjidhje robotike”.
Abigail Gilbert me Institutin për të Ardhmen e Punës thotë se ka disa gjëra që inteligjenca artificiale thjesht nuk mund t’i bëjë.
“…kërkesa e fortë dhe e vazhdueshme për komunikim, mendim kritik dhe udhëheqje brenda bizneseve. Profesionet që sigurohen nga lëndët e artit dhe shkencave humane mbeten jashtëzakonisht të rëndësishme për tregun e punës”.
Shawn Daly me Universitetin Niagara thotë se inteligjenca artificiale do të vazhdojë të përhapet. Dhe se një mënyrë për të siguruar punësimin është që bëhesh ekspert në AI.
“AI do të zgjerojë aftësitë e atyre që e kuptojnë funksionimin e makinerive. Disa nga ata do të krijojnë metoda unike të punës nga gjeneruesit e imazheve, teksteve, videove dhe programeve”.
Për këtë qëllim, Shtëpia e Bardhë njoftoi planet për të rritur numrin e specialistëve në fushën e inteligjencës artificiale në qeverinë federale me 500 individë deri vitin e ardhshëm./VOA