“Nomada”/ Trafikimi i emigrantëve në Britani, ja shuma që përfitojnë trafikantët!
Deri në 10 mijë euro përfitonin trafikantët që dërgonin emigrantë shqiptarë drejt Anglisë dhe Irlandës përmes Spanjës me dokumente false.
Një ditë pas operacionit “Nomada”, që solli arrestimin e 26 persona të përfshirë në këtë rrjet, mësohet se se super laboratori që prodhonte dokumentet e falsifikuara ndodhet në Kosovë.
Sipas burimeve, akoma nuk është arritur të gjendet nga autoritetet kosovare atje dhe bëhet fjalë për një laborator që prodhon dokumente false me cilësi të mirë.
Shuma që paguhej nga shqiptarët për të siguruar dokumentet false që do i ndihmonte për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Irlandë, varion nga 3.500-4.000, deri në 10.000 euro.
Megjithatë, autoritetet shqiptare kanë mundur të identifikojnë prodhuesin kryesor të kësaj veprimtarie kriminale, i cili nuk është kapur nga Kosova dhe tashmë është shpallur në kërkim.
SPAK dhe Policia e Shtetit zbardhën të plotë linjën e prodhimit, sjelljen e tyre në Shqipëri dhe dërgimin në drejtim të Spanjës.
Organizator kryesor i të gjithë rrjetit mësohet se ishte Bashkim Sula, i arrestuar në mesin e 26 personave, i cili në tërësi përgatiste rrjetin, koordinonte veprimet me Kosovën ku prodhoheshin dokumentet false dhe përgatiste transportimin e tyre në drejtim të Spanjës përmes agjencisë së udhëtimeve “Domi”.
Ndërkohë, Njazi Ademaj, po ashtu i arrestuar, kishte rol për gjetjen e qytetarëve që u duheshin dokumente false për t’i nisur në Spanjë, me destinacion final Britaninë e Madhe dhe Irlandën, të cilët arrinte t’i gjente në bashkëpunim me të tjerë.
Shqiptarët që donin të udhëtonin në vendin ishullor, ishin kryesisht të thjeshtë dhe kërkonin të shkonin për çështje ekonomike apo bashkime familjare.
Nga dhjetëra të arrestuarit që janë kapur në Spanjë, mësohet se janë identifikuar nga Policia e Shtetit, e cila më pas njoftonte autoritetet atje dhe ndaloheshin në kufi.