E kishte paralajmëruar/ Putin urdhëron nisjen e stërvitjeve bërthamore!
Bjellorusia njoftoi të hënën se ushtria e saj po merrte pjesë në fazën e dytë të stërvitjeve ruse të urdhëruara nga Presidenti Vladimir Putin për të praktikuar vendosjen e armëve taktike bërthamore.
Faza e parë e stërvitjeve u zhvillua në Rusinë jugore muajin e kaluar, në atë që analistët thanë se ishte një sinjal paralajmërues nga Putin për të penguar Perëndimin që të futej më thellë në luftën në Ukrainë.
Ministri i Mbrojtjes i Bjellorusisë, Viktor Khrenin tha se stërvitjet ishin një masë proaktive për të “rritur gatishmërinë për të përdorur të ashtuquajturat armë hakmarrëse”.
“Tani, më shumë se kurrë më parë, jemi të vendosur për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi të paraqitur si për vendin tonë ashtu edhe për shtetin e Bashkimit” midis Rusisë dhe Bjellorusisë, tha ai.
Ai nuk tha se ku po zhvilloheshin stërvitjet dhe për çfarë lloj armësh bëhej fjalë. Bjellorusia ndan kufijtë me tre vende të NATO-s – Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë.
“Ne nuk kemi synim të krijojmë ndonjë tension në çështjet e sigurisë rajonale. Ne nuk projektojmë kërcënime përkatëse ushtarake ndaj vendeve të treta apo dikujt tjetër,” shtoi Khrenin.
Nga ana tjetër, Presidneti Zelensky ka hedhur poshtë pretendimet e kreut të Republikës Çeçene Ramzan Kadyrov, i cili tha dje (9 qershor) se forcat ruse kishin marrë kontrollin e një fshati të UKrainës.
“Sa i përket fshatit Ryzhivka, okupatori tentoi të kryejë një operacion propagandistik. Që nga mëngjesi i sotëm, flamuri rus në këtë fshat është shkatërruar dhe nuk ka prezencë të okupatorëve”, shkruan ai në Telegram.