Pse nuk e takoi Albinin? Zyra e Kurtit: Rama takim me ata që do të rregullojë raportet
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka shuar pikëpyetjet se përse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nuk ka një takim me Albin Kurtin, ndonëse ndodhet në Prishtinë në kuadër të 25-vjetorit të Çlirimin të vendit.
Në një njoftim për shtyp ai ka theksuar se sipas tij, Rama po takon ata me të cilët ka nevojë të rregullojë raportet.
“Në bazë të agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet.”
Ai konfirmon se nga ana e Kurtit ka pasur një ftesë që Rama të marrë pjesë në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor, por si përgjigje kanë marrë një refuzim.
“Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor”, dekaroi Kryeziu i cili tha se megjithëkëtë Rama është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore.
“Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, deklaroi ai.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë Rama zhvilloi sot në mëngjes një takim kokë më kokë me presidenten Osmani. Më pas, ai mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori.